
Moska konfirmon vizitën e të dërguarit amerikan Steve Witkoff, flet për pika pozitive në planin amerikan, ndërsa e cilëson rolin e europianëve të padobishëm dhe kundërshton përdorimin e aseteve ruse të ngrira.
Rusia ka konfirmuar se javën e ardhshme në Moskë do të mbërrijë i dërguari i posaçëm i presidentit amerikan Donald Trump, Steve Witkoff, për t’u takuar me Vladimir Putinin dhe për të diskutuar mbi planin e paqes për Ukrainën.
Këshilltari diplomatik i Kremlinit, Yuri Ushakov, ka bërë të ditur se Moska sheh disa pika pozitive në planin amerikan për zgjidhjen e konfliktit, por thekson se shumë elemente të tjerë kërkojnë diskutime të detajuara mes ekspertësh. Sipas tij, përpjekjet e vendeve europiane për të marrë rol kryesor në procesin e paqes janë të panevojshme dhe nuk sjellin rezultat konkret.
Në sfond të këtyre negociatave po zhvillohet edhe një betejë tjetër mes SHBA-së dhe Europës për financimin e rindërtimit të Ukrainës. Plani në 28 pika i hartuar nga Witkoff për llogari të Trump dhe nga Kirill Dmitriev për llogari të Putinit parashikon ndër të tjera që asetet e ngrira ruse, shumica e të cilave ndodhen në Europë, të përdoren për të mbuluar kostot e luftës dhe të rindërtimit. Kryeqytetet europiane, megjithatë, vazhdojnë të rezistojnë ndaj asaj që e shohin si një tentativë për një kapje të detyruar të afro 190 miliardë eurove të bllokuara në Euroclear në Bruksel.
Paralelisht, Rusia njofton se është në kontakt të ngushtë me Kinën për përpjekjet diplomatike për t’i dhënë fund luftës, ndërsa kritikon faktin që Ukraina vijon të marrë armë dhe inteligjencë nga SHBA, pavarësisht sinjaleve për normalizim të pjesshëm të marrëdhënieve mes Uashingtonit dhe Moskës.
Nga ana tjetër, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka vlerësuar se parimet e planit të rishikuar amerikan mund të shndërrohen në marrëveshje më të thella, por nënvizon se shumëçka varet nga qëndrimi i SHBA-së, pasi Rusia i kushton rëndësi të madhe fuqisë dhe rolit amerikan. Ai ka theksuar se është paradoksale që Rusia vazhdon goditjet ushtarake, ndërkohë që në tavolinë po diskutohen skenarë paqeje.
Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, ka përsëritur se e ardhmja e Ukrainës është brenda Bashkimit Europian dhe se çdo marrëveshje paqeje duhet të garantojë siguri reale për Kievin dhe kontinentin. Ajo ka përshëndetur përpjekjet e administratës Trump për të shtyrë përpara një zgjidhje, por paralajmëron se çdo pranim i ndryshimit të kufijve nën presion ushtarak do të hapte rrugën për konflikte të tjera në të ardhmen. Komisioni Europian shprehet i gatshëm të paraqesë një bazë ligjore për përdorimin e aseteve ruse të ngrira në funksion të Ukrainës.
Në planin ushtarak, fronti mbetet i ndezur: ushtria ukrainase raporton situatë shumë të vështirë në jug, pranë Huliaipoles, por mohon rrethimin e forcave të saj dhe thotë se linjat e furnizimit dhe evakuimit janë ende funksionale. Ndërkohë, Zaporizhia ka pësuar një tjetër sulm masiv rus me dronë dhe artileri, ku dhjetëra pallate janë dëmtuar dhe dhjetëra civilë janë plagosur.
Brenda NATO, sekretari i përgjithshëm Mark Rutte ka lënë të hapur perspektivën që Ukraina të anëtarësohet në aleancë në të ardhmen, edhe pse disa aleatë, përfshi SHBA-në, nuk e shohin ende si të mundur një hap të tillë në afat të shkurtër.
Turqia nga ana e saj ofrohet si ndërmjetëse për bisedime të drejtpërdrejta mes Kievit dhe Moskës në Stamboll dhe propozon një armëpushim për infrastrukturën energjetike dhe portuale, që sipas Ankarasë mund të krijojë kushtet për një marrëveshje më të gjerë paqeje.
Në këtë mozaik presionesh diplomatike, interesa ekonomike dhe llogarish gjeopolitike, plani i paqes i Trump për Ukrainën mbetet në qendër të lojës, ndërsa Kremlini përpiqet të shfrytëzojë hendekun midis SHBA-së dhe europianëve dhe Ukraina përpiqet të shmangë një kompromis që do të legjitimonte humbje të reja territoriale.
