
Organizatorët nisin fazën finale të përgatitjeve, ndërsa stafetës i hapet rruga drejt Italisë përpara Lojërave të Shkurtit.
Flaka Olimpike për Lojërat Dimërore Milano-Cortina 2026 u ndez të mërkurën në një ceremoni të thjeshtuar brenda muzeut arkeologjik të Olimpias së lashtë, pasi autoritetet greke lëshuan paralajmërime për reshje të dendura shiu që detyruan anulimin e ritualit tradicional në stadiumin antik.
Ceremonia, e cila zakonisht zhvillohet në natyrë me priftëresha që ndezin flakën përmes pasqyrës parabolike të drejtuar nga rrezet e diellit, këtë herë u zëvendësua me një video të provës së së hënës, ku flaka ishte ndezur sipas traditës në hapësirën antike.
Pasi flaka u soll në muze, sportisti grek Petros Gaidatzis u bë bartësi i parë i saj, ndërsa më pas iu bashkua legjenda italiane e skive, Stefania Belmondo, në një segment të përbashkët të stafetës.
Pas një jave udhëtim nëpër Greqi, flaka do t’u dorëzohet organizatorëve italianë në Athinë më 4 dhjetor, për t’u nisur drejt Italisë ku e pret një rrugëtim disa mujor në mbi 60 qytete dhe 300 qyteza.
Presidentja e Komitetit Olimpik Ndërkombëtar, Kirsty Coventry, theksoi simbolikën e momentit duke u shprehur se Lojërat Olimpike bashkojnë të shkuarën dhe të tashmen përmes garës së ndershme, miqësisë dhe respektit.
Stafeta italiane do të vizitojë vendndodhje ikonike si Koloseu në Romë dhe Kanalin e Madh në Venecia, si dhe qytetet e Palermos e Napolit për të ndezur interesin për sportet dimërore në zonat ku ato praktikohen më pak.
Rrugëtimi i flakës do të përfundojë më 6 shkurt në stadiumin San Siro të Milanos, ku do të mbahet ceremonia zyrtare e hapjes së Lojërave Olimpike Dimërore Milano-Cortina 2026.
