
Shqipëria kujton mëngjesin tragjik të vitit 2019, kur lëkundja 6.4 rihter shkatërroi qindra banesa dhe la qindra familje në qiell të hapur.
Sot shënohen 6 vjet nga mëngjesi i zi i 26 nëntorit 2019, kur në orën 03:56 një tërmet me magnitudë 6.4 goditi Shqipërinë, duke tronditur më fort Durrësin, Thumanën dhe Tiranën. Lëkundja që zgjati rreth 50 sekonda i mori jetën 51 personave, plagosi qindra të tjerë dhe preku drejtpërdrejt mbi 202 mijë qytetarë.
Durrësi dhe Thumana pësuan dëmet më të rënda: dhjetëra banesa u shembën në pak sekonda, familje të tëra humbën gjithçka, ndërsa shumë të mbijetuar kaluan muaj të tërë në çadra e ambiente emergjence. Qindra biznese dhe shtëpi u kthyen në rrënoja, duke lënë pas një panoramë shkatërrimi që mbetet e gjallë në kujtesën e të gjithëve.
Lëkundjet prekën 11 bashki, mes tyre edhe zona të mëdha si Tirana, Durrësi, Shijaku, Kruja, Kamza, Kavaja, Kurbin, Lezha, Rrogozhina dhe Mirdita. Epiqendra u regjistrua 16 kilometra në perëndim-jugperëndim të Mamurrasit.
Në ditët e para pas tragjedisë, u ngritën mbi 300 çadra emergjence pranë stadiumit të Durrësit dhe në Thumanë për të strehuar rreth 1,000 persona që mbetën pa shtëpi. Për shumë prej tyre, rikuperimi fizik dhe emocional vazhdon edhe sot.
Shqipëria kujton viktimat dhe heronjtë e asaj dite, ndërsa plagët e 26 nëntorit mbeten një kujtesë e fortë për brishtësinë e jetës dhe domosdoshmërinë e përgatitjes ndaj fatkeqësive natyrore.
