
Eurodeputetët vendosin një moshë minimale të unifikuar në të gjithë BE-në, ndërsa fëmijët 13–16 vjeç do të kenë akses vetëm me pëlqimin e prindërve.
Parlamenti Europian miratoi sot në Strasburg një propozim të ri që synon kufizimin drastik të përdorimit të rrjeteve sociale nga të miturit nën 16 vjeç. Me 483 vota pro, 92 kundër dhe 86 abstenime, eurodeputetët mbështetën vendosjen e një moshe minimale të harmonizuar për përdorimin e mediave sociale, platformave të videove dhe rrjeteve të inteligjencës artificiale.
Sipas këtij propozimi, fëmijët e moshës 13 deri në 16 vjeç mund të aksesojnë rrjetet sociale vetëm me autorizimin e prindërve, ndërsa më të vegjlit nuk do të kenë qasje fare.
Parlamenti kërkon gjithashtu ndalimin e praktikave të dëmshme që nxisin varësinë, çaktivizimin e funksioneve që synojnë të miturit dhe ndalimin e faqeve që nuk përputhen me rregulloret e BE-së. Një tjetër pikë e rëndësishme është mbrojtja nga shfrytëzimi komercial: platformave do t’u ndalohet të ofrojnë përfitime financiare për fëmijët me ndikim, ndërsa kërkohet ndërhyrje ligjore për fenomenin deepfake dhe mjetet e inteligjencës artificiale.
Edhe pse propozimi nuk është detyrues, ai shërben si presion i drejtpërdrejtë ndaj Komisionit Europian për të ndërmarrë hapa konkretë. Iniciativa e PE shkon në të njëjtën linjë me diskutimet aktuale brenda BE-së, të udhëhequra nga Greqia dhe të mbështetura nga Franca e Spanja, për vendosjen e rregullave të reja që synojnë zvogëlimin e përdorimit të rrjeteve sociale nga të miturit.
Trendi është global: Australia, Malajzia dhe Danimarka tashmë kanë vendosur kufirin 16 vjeç për hapjen e llogarive në disa platforma.
Komisioni Europian ndërkohë po shqyrton ndryshime të mundshme në direktivat ekzistuese për të rregulluar këtë fushë, megjithëse çdo vend i BE-së do të përcaktojë mënyrën e vet të zbatimit të objektivave nëpërmjet legjislacionit kombëtar.
