
Vdekja misterioze e 16-vjeçares në #ka tronditur SHBA, ndërsa nëna biologjike akuzon ish-bashkëshortin për vendime të pamenduara dhe fshehje të informacionit.
Mamaja biologjike e Anna Kepner, vajzës 16-vjeçare nga Florida e gjetur e vdekur në një anije kroçiere të Carnival, ka ngritur pikëpyetje të forta mbi arsyen pse adoleshentja ishte vendosur në të njëjtën kabinë me vëllain e saj të njerkës, i cili sipas raportimeve amerikane është tashmë personi kryesor i dyshuar në vdekjen e saj.
Heather Wright, e cila kishte vite që nuk kishte marrëdhënie me vajzën, u shpreh për Fox News se është e shkatërruar nga lajmi i vrasjes dhe akuzoi ish-bashkëshortin se po e paraqet atë si fajtore, ndërkohë që vendimi për t’i vendosur fëmijët në të njëjtën dhomë ishte i tij.
“Pse jam unë ‘njeriu i keq’? Ai i vuri në të njëjtën dhomë,” tha ajo.
Anna u gjet e vdekur më 6 nëntor, pasi trupi i saj u zbulua i fshehur poshtë shtratit në kabinën që ajo po ndante me vëllain e saj të njerkës 16-vjeçar. Autoritetet federale konfirmuan zyrtarisht se bëhej fjalë për një vrasje, ndërsa hetimet vazhdojnë me detaje ende të pakta.
Adoleshentja ishte në kroçierë me familjen e përzier, gjyshërit, babain, njerkën, vëllezërit dhe motrat, kur ndodhi tragjedia.
Wright akuzoi ish-bashkëshortin Christopher Kepner se nuk e njoftoi për vdekjen e vajzës dhe e përjashtoi nga informacionet kyçe.
Ndërsa hetimi i FBI vazhdon, opinioni publik në SHBA kërkon transparencë mbi rrethanat e vdekjes së Annës, dhe pyetja kryesore që shtrohet është pikërisht ajo e nënës: Pse dy adoleshentë që nuk ishin vëllezër biologjikë u vendosën në një kabinë të vetme?
