
Flakët u përhapën me shpejtësi përmes skelave prej bambuje, duke bllokuar banorët, shumica të moshuar, brenda apartamenteve; mbi 700 persona u strehuan në qendra emergjence.
Në Hong Kong ka ndodhur një nga zjarret më të rënda të viteve të fundit, pasi të paktën 13 persona humbën jetën dhe 16 të tjerë u plagosën rëndë në një zjarr të madh që përfshiu kompleksin gjigant “Wang Fuk Court” në lagjen Tai Po.
Kompleksi përbëhej nga tetë pallate me nga 32 kate, me afro 2.000 apartamente ku jetonin rreth 4.800 persona. Autoritetet konfirmuan se disa banorë, kryesisht të moshuar, mbetën të bllokuar në katet e larta, ndërsa flakët shpërthyen me shpejtësi përmes skelave prej bambuje të vendosura për punime restaurimi.
Sipas raportimeve të South China Morning Post, flakët u përhapën në të tetë godinat, duke e kthyer operacionin e shpëtimit në një betejë të vështirë. Bambuja, e cila përdoret ende gjerësisht në Hong Kong për skelat e ndërtimit, kontribuoi në përshpejtimin e përhapjes së zjarrit.
Përveç viktimave civile, humbi jetën edhe një zjarrfikës 37-vjeçar, i cili u gjet i pavetëdijshëm gjatë operacionit dhe ndërroi jetë në spital si pasojë e plagëve.
Më shumë se 760 zjarrfikës dhe 400 policë u angazhuan për të shpëtuar banorët e bllokuar, ndërsa 700 persona u strehuan në qendrat emergjente të ngritura nga autoritetet. Policisë iu desh të aktivizonte një linjë speciale telefoni për informimin e familjarëve mbi viktimat dhe të zhdukurit.
Banorëve përreth u kërkua të mbyllnin dritaret dhe të shmangnin zonën për shkak të tymit të dendur dhe rrezikut të përhapjes së flakëve.
Operacionet e kërkim-shpëtimit dhe hetimet mbi shkaqet e zjarrit vijojnë.
