
Përdorimi i trurit të zogjve për misione zbulimi po hyn në fazën e parë të zbatimit industrial në Moskë
Rusia ka nisur testimet e para të një teknologjie krejtësisht të pazakontë të survejimit: përdorimin e pëllumbave të pajisur me çipe neurale dhe një “çantë elektronike” në shpinë, që i shndërron ata në biodronë plotësisht të telekomandueshëm. Sipas kompanisë ruse të neuroteknologjisë Neiry, dhjetëra zogj kanë përfunduar me sukses fluturimet e provës midis laboratorit dhe destinacioneve të paracaktuara në Moskë.
Teknologjia funksionon përmes elektrodave të vendosura në zona specifike të trurit të zogjve, të lidhura me një stimulues dhe një kompjuter miniaturë të vendosur në një backpack me panele diellore. Pajisja i dërgon zogut impulse që modifikojnë drejtimin e fluturimit, sipas itinerarit të ngarkuar më parë, ndërsa pozicionimi monitorohet me GPS.
Ndryshe nga kafshët e trajnuara, kompania thotë se nuk kërkohet asnjë proces mësimor: zogjtë bëhen të komandueshëm menjëherë pas ndërhyrjes kirurgjikale. Neiry deklaron se procedura ka mbijetesë maksimale dhe përdor pajisje kirurgjikale të saktësisë stereotaktike.
Zogjtë-dronë janë pajisur gjithashtu me kamera. Kompania pretendon se sistemet e inteligjencës artificiale në pajisje fshijnë të dhënat personale dhe zbusin pamjet e fytyrave, në përputhje me ligjet lokale të mbrojtjes së privatësisë.
Sipas Neiry, biodronët do të përdoren për inspektimin e linjave të transmetimit të energjisë, gazsjellësve, objekteve industriale, zonave mjedisore dhe misioneve të kërkim-shpëtimit. Kompania thotë se këta zogj kanë qëndrueshmëri dhe distancë fluturimi “qindra herë më të madhe” se dronët klasikë, por me një kosto të ngjashme.
Kompania synon të zgjerojë përdorimin e teknologjisë te shpendët e mëdhenj për misione me ngarkesë më të madhe, duke përfshirë sorrat për vëzhgim bregdetar, pulëbardhat dhe madje albatrosët për detin e hapur.
Neiry thekson se teknologjia e kontrollit të zogjve përmes çipeve cerebrale është testuar edhe në vende si Kina, Koreja e Jugut, SHBA dhe India, por pretendon se tashmë po kalon nga faza eksperimentale në drejtim të prodhimit industrial.
Ndërkohë, zhvillime të tjera në fushën e dronëve përfshijnë nismat ukrainase për prodhimin masiv të dronëve FPV me udhëzim terminal të drejtuar nga inteligjenca artificiale, që rrit ndjeshëm saktësinë e sulmeve me kosto të ulët.
