Guardia di Finanza e Romës ka shkatërruar një organizim të strukturuar kriminale i përfshirë në trafik ndërkombëtar të kokainës, duke sekuestruar 130 kilogramë drogë, me një vlerë tregu që arrin rreth 1 milion euro.
Operacioni, i zhvilluar nën drejtimin e Prokurorisë së Romës, Drejtoria Distrektuale Antimafia ka çuar në arrestimin e 8 personave të dyshuar se bënin pjesë në rrjetin që furnizonte kryeqytetin italian me sasi të mëdha narkotikësh.
Drejtimi i grupit: një shtetas shqiptar nga Holanda
Sipas hetimeve, në krye të organizatës ishte një shtetas shqiptar, i vendosur në Holandë, i cili përmes platformave të komunikimit të enkriptuar koordinonte trafikun e kokainës në nivel të Bashkimit Evropian. Ai qëndronte në qendër të një strukture të mirëorganizuar, e cila vepronte me disiplinë dhe ndarje të qartë rolesh mes vendeve.
Celula operative në Romë dhe shpërndarja në lagjet kryesore
Gazetarja Alba Kepi raporton për Syri Televizion se në Romë, grupi kishte ngritur një celulë të specializuar që merrej me: pranimin e ngarkesave të ardhura nga korrierët, ruajtjen e drogës në depo të maskuara, shpërndarjen e sasive të mëdha të kokainës në disa zona problematike të kryeqytetit.
Rrjeti furnizonte edhe grupe të tjera kriminale në Borghesiana, Pigneto, Spinaceto, Torre Spaccata, Alessandrino, Tor De’ Cenci, Finocchio, Capannelle dhe Tor Bella Monaca.
Për transportin e sigurt, bandës i shërbenin korrierë italianë dhe një pronar dalloni shitje automjetesh, i cili i modifikonte me vende të fshehta të krijuara posaçërisht për trafik të drogës.
Gjatë hetimeve u dokumentua trafiku i mbi 210 kilogramëve kokainë, prej të cilave 130 kg u sekuestruan në operacione të ndryshme të Guardia di Finanza.
Gjatë ndërhyrjeve u arrestuan në flagrancë 3 persona: një italian dhe dy shqiptarë.
