
Kompleksi prej 2 mijë apartamentesh u përfshi nga zjarri gjatë punimeve të rikonstruksionit, ndërsa dhjetëra persona mbeten ende të zhdukur
Hong Kong është përballur me një nga tragjeditë më të rënda të viteve të fundit, pasi një zjarr masiv përfshiu një kompleks të tërë banesash në veri të qytetit. Bilanci ka arritur të paktën 55 të vdekur, ndërsa autoritetet ende nuk kanë mundur të lokalizojnë më shumë se 250 banorë të tjerë. Dhjetëra telefonata emergjente erdhën nga persona të bllokuar nëpër apartamente teksa flakët avancuan me shpejtësi.
Zjarri shpërtheu të mërkurën rreth orës 14:50 në një nga kullat e Wang Fuk Court, një grup prej tetë ndërtesash të ndërtuara në vitin 1983, të cilat aktualisht ndodhen në rikonstruksion. Pamundësia për evakuim dhe hapësirat e kufizuara të ndërtesave të vjetra e përkeqësuan situatën, ndërsa 68 persona u shtruan në spital, 16 prej tyre në gjendje të rëndë.
Sipas autoriteteve, flakët u përhapën me shpejtësi të pazakontë nga një kullë në tjetrën. Skelat e ndërtuara me bambu, që e rrethonin të gjithë kompleksin si pjesë e punimeve të rikonstruksionit, dyshohet se ndihmuan në shpërndarjen e zjarrit. Hetuesit po shqyrtojnë edhe përdorimin e polisterolit si material izolues, i cili mund të mos ketë qenë në përputhje me standardet dhe të ketë kontribuar në përhapjen e flakëve nga një banesë në tjetrën.
Të enjten në mëngjes, zjarrfikësit kishin arritur të fusin nën kontroll flakët në katër prej godinave, ndërsa puna vijon në pjesën tjetër të kompleksit. Banorët e zonës raportojnë tym të dendur dhe pamje dramatike të njerëzve që kërkonin ndihmë nga dritaret e apartamenteve.
Shkaku i zjarrit mbetet ende i paqartë, ndërsa autoritetet lokale kanë nisur një hetim të gjerë mbi cilësinë e punimeve të rikonstruksionit dhe përdorimin e materialeve të dyshuara jo standarde.
