
Operacioni STORM zbulon apartamentin e përdorur për veprimtari të paligjshme në lagjen nr. 2, ndërsa një 22-vjeçar procedohet për përfshirje në rast
Policia e Durrësit ka arrestuar dy shtetase braziliane të dyshuara për ushtrim prostitucioni dhe përdorim lëndësh narkotike. Ato kishin marrë me qira një apartament në lagjen nr. 2, të cilin e përdornin për aktivitet të paligjshëm.
Gjatë operacionit të koduar STORM, shërbimet e policisë ndërhynë në apartamentin ku ndodheshin B. B., 24 vjeçe, dhe H. D., 21 vjeçe. Dy të rejat refuzuan të hapnin derën, e cila u çel me ndihmën e zjarrfikëses.
Gjatë kontrollit u sekuestruan pasaportat e tyre, para, disa telefona celularë, karta SIM dhe sasi lënde narkotike e dyshuar si kanabis. Përveç arrestimit të tyre, policia ka proceduar penalisht edhe shtetasin K. M., 22 vjeç, banues në Durrës, për veprën penale Prostitucioni.
Materialet e çështjes i janë referuar Prokurorisë së Durrësit për vijimin e hetimeve.
