
Drejtori i Policisë së Shtetit dhe delegacioni shqiptar angazhohen në procesin e votimit për drejtuesit e rinj të organizatës ndërkombëtare të policisë
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ilir Proda, po përfaqëson Shqipërinë në Asamblenë e 93-të të INTERPOL, e cila po zhvillohet në Marok me pjesëmarrjen e delegacioneve nga 196 vende të botës. Ngjarja mbledh drejtuesit e niveleve më të larta të policive kombëtare për të diskutuar sfidat globale të sigurisë.
Proda, së bashku me Drejtuesin e Lartë Pëllumb Seferi dhe Drejtuesin Ulian Shpataraku, po marrin pjesë në votimet për zgjedhjen e presidentit të ri të INTERPOL, zëvendëspresidentit dhe anëtarëve të Komitetit Ekzekutiv, strukturat kryesore që drejtojnë politikën dhe veprimtarinë e organizatës.
Asambleja e Përgjithshme e INTERPOL zhvillohet një herë në vit dhe merr vendimet strategjike që prekin politikat globale të bashkëpunimit policor, menaxhimin e burimeve, standardet e punës dhe çështjet financiare. Pjesëmarrja e Shqipërisë në këtë forum vlerësohet si e rëndësishme për forcimin e bashkëpunimit ndërkombëtar në fushën e sigurisë.
