
PD akuzon për abuzim, vonesa, kosto të fryra dhe tendera të dyshimtë, kërkon hetim urgjent nga SPAK
Projekti gjigant i rrugës Qukës–Qafë Plloçë, me vlerë 152 milionë dollarë dhe gjatësi 40.5 kilometra, është kthyer në një nga denoncimet më të forta të Partisë Demokratike, pasi vetëm dy muaj pas hapjes u shkatërrua në disa segmente, duke ngritur dyshime serioze për cilësinë e punimeve dhe menaxhimin e fondeve.
Zëdhënësja e Antikorrupsionit, Genta Vangjeli, e cilësoi këtë projekt si shembullin ekstrem të keqmenaxhimit qeveritar, ku vonesat, rritja e kostove dhe klientelizmi janë shndërruar në normë.
Sipas saj, lotet 1 dhe 2 duhej të ishin përfunduar në vitin 2018 dhe loti 3 në 2017, por rruga u hap me 7–8 vite vonesë dhe me një kosto të shtuar prej të paktën 60 milionë dollarësh. Paralajmërimet e KLSH-së që në vitin 2019 për rreziqe dhe parregullsi u injoruan nga institucionet përgjegjëse.
Vangjeli theksoi se ARRSH ka nënshkruar 6 kontrata shtesë për mirëmbajtje dhe ndërhyrje, me vlerë totale 2.4 milionë euro, duke e bërë projektin edhe më të dyshimtë. Fitues i disa loteve rezulton kompania “2T shpk”, në pronësi të vëllait të kryebashkiakut të Tepelenës, pavarësisht se më herët është kritikuar për probleme teknike dhe cilësore.
Ndërkohë, mediat raportuan se kjo kompani ka nisur punimet për largimin e masivit shkëmbor pas dëmtimit të rrugës, edhe pse ende nuk figuron kontratë e lidhur në sistemin e prokurimeve. Po ashtu, hapja e rrugës është bërë pa procedurë kolaudimi, duke vënë në rrezik jetën e qytetarëve, një shkelje e rëndë e ligjit për veprat infrastrukturore.
Partia Demokratike i kërkon SPAK të nisë menjëherë hetimet për abuzimet, klientelizmin dhe shpërdorimin e fondeve publike. Sipas saj, qytetarët meritojnë projekte të sigurta dhe transparente, jo vepra të dështuara që shemben pak muaj pas inaugurimit.
Shqiptarët kanë të drejtë të dinë se si janë shpenzuar milionat e këtij projekti dhe kush mban përgjegjësi për dështimin e tij.
