Një kontroll rutinë i AKU-së në tregun e Tiranës ka zbuluar se mandarina të mbushura me pesticide kanë përfunduar pa pengesë në tryezat e qytetarëve, duke konfirmuar edhe një herë situatën alarmante të sigurisë ushqimore.
Analizat e ISUV-it kanë konfirmuar tek mandarinat praninë mbi normë të insekticidit Pirimiphos-methyl, një substancë që teorikisht mbron frutat, por praktikisht godet drejtpërdrejt shëndetin e konsumatorëve.
Burimet bënë me dije se sapo u zbuluan rezultatet, u urdhërua tërheqja e menjëhershme e produktit
AKU pranon se mandarinat janë prodhim vendas, por askush nuk di të thotë nga kush janë blerë.
Furnizuesi nuk ka paraqitur faturë, nuk ka dokument origjine dhe si për ta mbyllur rrethin,sistemi i gjurmueshmërisë rezulton i munguar. Për pasojë, AKU gjobit subjektin, por mbetet pa asnjë pistë për burimin e produktit.
Në treg kanë qarkulluar 700 kilogramë mandarina të kontaminuara. Nga këto, 660 kg janë konsumuar nga qytetarët përpara se të binte alarmi, ndërsa vetëm 40 kg janë bllokuar nga inspektoret. Produkti i rrezikshëm është shpërndarë vetëm në tregun e Tiranës.
