
Rrëfimi i Granit Plavës zbulon urdhrat e Naim Murselit dhe mënyrën se si u planifikua ekzekutimi
Dy vjet pas vrasjes së Liridona Ademajt, një ngjarje që tronditi Kosovën dhe opinionin publik në mbarë rajonin, dëshmia e Granit Plavës hedh dritë mbi rolin udhëheqës të Naim Murselit në planifikimin dhe ekzekutimin e krimit. Familja e viktimës vazhdon të kërkojë dënim të përjetshëm për tre të akuzuarit, ndërsa dokumentet e Forenzikës Psikiatrike konfirmojnë se gjithçka ishte përgatitur me kujdes.
Plava ka shpjeguar se gjatë momentit të vrasjes, Murseli i ishte afruar dhe i kishte përsëritur urdhrin gjuaj gjuaj, ndërsa ai qëlloi nga dritarja e hapur drejt Liridonës. Ai tregon se ishte takuar me Naimin dy ditë para ngjarjes, dhe mëngjesin e krimit ai e kishte marrë me veturë për të udhëtuar drejt Prishtinës.
Gjatë rrugës, ndaluan në një pompë karburanti ku Murseli i dorëzoi armën me pesë fishekë dhe pesëmbëdhjetë të tjerë rezervë. Plava rrëfen se në momentet para atentatit ndjeu ankth të fortë, por ndoqi planin deri në fund, duke lëvizur pas makinës së Naimit.
Pas krimit ai u kthye në shtëpi dhe pretendon se e mësoi lajmin për vdekjen e saj vetëm kur i treguan familjarët. Dy ditë më vonë u arrestua nga policia.
Dëshmia e tij, që detajon mënyrën e planifikimit dhe urdhrat e Naim Murselit, pritet të ketë ndikim të drejtpërdrejtë në vijimin e procesit gjyqësor. Familja e Liridonës kërkon drejtësi të plotë, ndërsa çështja është ende në shqyrtim.
