
Historia e Dorian Pukës, i cili mes dënimeve, deportimeve dhe supermakinave, trondit opinionin publik në Mbretërinë e Bashkuar
Lamborghini luksoz, restorante të shtrenjta, pushime pesëyje, orë firmato dhe imazhi i një milioneri. Kjo është jeta që Dorian Puka, 31 vjeç, paraqet në rrjetet sociale në Londër. Por pas këtij imazhi fshihet një histori e errët që po trazion sërish autoritetet britanike: dy dënime me burg, dy deportime dhe rikthimi i tretë në Britani nëpërmjet rrugëve të dyshimta.
Puka, i cili vjen nga një fshat pranë Lezhës, është bërë një figurë e njohur jo për arritje, por për mënyrën se si sfidon hapur ligjin britanik. Në Instagram e TikTok ai shfaqet me supermakina si Lamborghini, Bentley, Porsche apo Jaguar, ndërsa numëron mijëra ndjekës. Në video, ai mburret se është milioner, shfaq orë luksoze me vlerë mbi 160 mijë paund dhe dokumenton jetën që, sipas policisë britanike, nuk përputhet aspak me të ardhurat e ligjshme.
Fqinjët e përshkruajnë si të pasjellshëm, arrogant dhe problematik. Zhurma e makinës së tij, parkimet pa rregull dhe arroganca në lagje janë bërë kronike. Edhe adresa ku jeton nuk figuron në emrin e tij, por në atë të një kontabilisti.
Edhe pse ndalohet të hyjë në Britani, ai është rikthyer pas çdo dëbimi. Në vitin 2016 u dënua për vjedhje me thyerje, pranoi deportimin, por brenda një viti u kthye. Në vitin 2017 u dënua përsëri për të njëjtat krime dhe u dëbua sërish në vitin 2020. Pak muaj më vonë, përsëri u rikthye, duke kaluar përmes vendeve europiane deri në Mbretërinë e Bashkuar, ku sot pretendon azil.
Sipas autoriteteve, ai po përfiton nga Neni 8 i Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, i cili shpesh përdoret për të bllokuar deportimet për shkak të të drejtës për jetë familjare. Puka banon me partneren shqiptare dhe një fëmijë të vogël, çka ia vështirëson Ministrisë së Brendshme procedurat për përjashtim.
Gjatë viteve, ai është lidhur edhe me figura të krimit, përfshirë një foto në burg me Lulëzim Zefin, i dënuar për trafik droge dhe pastrim parash. Vëllai i tij më i vogël, Denisi, është gjithashtu në pritje dënimi në Britani për pjesëmarrje në një seri vjedhjesh.
Rasti Puka po përmendet gjerësisht si shembulli më i pastër i abuzimit me sistemin e azilit dhe dështimit të kontrolleve kufitare. Autoritetet britanike e shohin si simbol të një problemi më të madh: rikthimin e pandalshëm të individëve me precedentë penalë, të cilët shfrytëzojnë boshllëqet e ligjit.
Ndërkohë, në rrjetet sociale Puka vazhdon të postojë video duke ngarë supermakina, duke darkuar në restorante luksoze dhe duke ironizuar mediet që e nxjerrin në pah. Ai e portretizon veten si të paprekshëm, ndërsa autoritetet po përballen me kufizimet e sistemit ligjor që e pengon të largohet përfundimisht nga vendi.
