Një shpërthim eksploziv ka ndodhur mbrëmjen e së premtes, rreth orës 23:38, në rrugën “Ali Demi” në Vlorë.
Policia njofton se eksplozivi ishte vendosur në portën e jashtme të banesës së shtetases B. Z., 63 vjeçe, por nga shpërthimi i lëndës plasëse ka vetëm dëme materiale.
Nën drejtimin e Prokuorisë vijon puna për identifikimin, kapjen e autorëve dhe dokumentimin e plotë të ngjajres.
Mbrëmjen djeshme (29 nëntor) një shpërthim me tritol ndodhi në banesën e 63-vjeçares, Bakie Zoto, e cila është nëna e Gentjan Zotos, një person i dënuar me 35 vite burg për atentatin ndaj Inez Hajrullës.
E moshuara, Bakie Zoto tregon se jeton e vetme në lagjen “Partizani” në Vlorë dhe se është e habitur nga ngjarja pasi ajo nuk ka konflikte me njeri dhe nuk e di se cilat janë arsyet.
“Vetëm jetoj. Erdhi dhe policia. Më shumë u bë tym. Jo fare asnjë konflikt. Kam kaq vite këtu në lagje. Nuk e di, jam habitur dhe vetë”, tha Bakie Zoto.
Gentian Zoto është dënuar me 35 vite burg nga Gjykata e Apelit, si pjesë e grupit që kryen atentatin kundër Inez Hajrullës me 10 maj 2019 në Vlorë.
Së bashku me Zoton për të njëjtën ngjarje, të dënuar janë dhe Daut Elmazi, Igli Memaj, Serxho Ademi dhe Albano Goxhaj.
Hajrulla i shpëtoi atentatit, por u plagos rastësisht Dajko Cenodemaj që po pinte kafe në Lungomare me disa miq. Autorët pasi u larguan dogjën automjetin në Babicë të Vogël.
Sipas policisë dhe prokurorisë së Vlorës, në këtë ngjarje kanë marë pjesë nëntë persona: Fatmir Hyseni, “Doqia”, Daut Elmazi, nipi i Armando Sulejmanit “Çipurit”, Igli Memaj, Gentian Dauti, Serxho Ademi, Albano Goxhaj, Dejvison Serjani, Ardjan Ahmeti dhe Xheladin Merko.
Pati dyshime të forta se atentati u krye si rezultat i larjeve të hesapeve mes grupeve rivale në Vlorë.
Sipas prokurorisë së Vlorës Inez Hajrulla në datën 10 maj 2019 ka qenë nën shoqërinë e Ervis Matodashaj, në ambientet e një lokali në Vlorë. Pikërisht në këtë vend disa persona kanë qëlluar me armë me qëllim për të vrarë Inez Hajrulla. Nga këqyrja e vendit të ngjarjes ka rezultuar se në shesh janë gjetur dy gëzhoja dhe një fishek i pa goditur. Si pasojë e këtyre të shtënave është plagosur rastësisht Dajko Canodemaj, i cili ka qenë duke pirë kafe.
