![]()
Policia heton nëse sulmi lidhet me të kaluarën kriminale të Zotos, i cili vuan dënimin 35-vjeçar për atentatin e vitit 2019 ndaj Inez Hajrullës.
Një shpërthim tritoli goditi mbrëmjen e djeshme portën e banesës së 63-vjeçares Bakie Zoto në lagjen Partizani në Vlorë. Fatmirësisht nuk ka të lënduar, por dëmet materiale janë të konsiderueshme. Policia ka nisur hetimet për të identifikuar autorët dhe për të sqaruar motivet e sulmit.
Ngjarja ka rikthyer në vëmendje të birin e saj, Gentjan Zoton, i dënuar me 35 vite burg nga Apeli për përfshirje në atentatin e 2019 ndaj Inez Hajrullës. Për të njëjtin rast u dënuan edhe Daut Elmazi, Igli Memaj, Serxho Ademi dhe Albano Goxhaj.
Sipas të dhënave të dosjes së atëhershme, autorët që lëviznin me një Land Rover të gjelbër hapën zjarr ndaj Hajrullës dhe Ervis Matodashajt, duke plagosur rastësisht Dajko Canodemajn në një lokal. Pamjet e sigurisë dokumentuan lëvizjen e automjetit në Lungomare dhe momentin kur një person zbriste nga mjeti, duke shkaktuar panik te njerëzit përreth.
Gjatë arratisë autorët u përplasën me dy automjete pranë bashkisë dhe u larguan drejt Babicës, ku makina u gjet më pas e djegur bashkë me dy armë automatike dhe një dorezë plastike të dëmtuar.
Hetimet për shpërthimin e fundit janë në zhvillim dhe po shqyrtohen pista që lidhen me të kaluarën kriminale të të dënuarit Zoto.
