
Pavarësisht akuzave të mëparshme për arrogancë, Braçe dhe Ristani shfaqen së bashku në sheshin qendror, ndërsa deputeti e shoqëron foton me një ironi të hapur ndaj kryebashkiakes së komanduar.
Deputeti i Partisë Socialiste, Erion Braçe, ka ndezur sërish polemika me kryetaren e komanduar të Bashkisë së Tiranës, Anuela Ristani. Gjatë festimeve të Ditës së Pavarësisë në sheshin Skënderbej, Braçe publikoi një foto ku shihet duke i dhënë dorën Ristanit, ndërsa mimika e tyre kontrastohet dukshëm: ai serioz, ndërsa ajo e qeshur.
Braçe shoqëroi imazhin me një koment ku nënvizonte se gëzimi i madh dukej në fytyrën e tij, duke ruajtur tonin ironik që ka karakterizuar gjithë përplasjen mes tyre. Postimi u shoqërua me muzikën e këngës merr koburen vramë moj, duke përforcuar mesazhin thumbues.
Përplasja mes tyre u ndez dy muaj më parë, kur Braçe e akuzoi Ristanin për arrogancë pas një njoftimi që ai kishte bërë për një problem emergjent mjedisor në Selitë, ku sipas tij zyrtarët e Bashkisë nuk kishin reaguar. Deputeti e publikoi atëherë komunikimin e tyre dhe kritikoi mënyrën se si, siç shprehej ai, Ristani trajtonte shqetësimet e komunitetit.
Megjithatë, gjatë ceremonisë së Ditës së Pavarësisë, të dy u shfaqën në të njëjtin event publik. Edhe pse Ristani u duk e qeshur, Braçe nuk humbi rastin të vijonte ironinë ndaj situatës dhe figurës së saj politike me postimin e ri.
