
Kryeministri izraelit i drejtohet presidentit Isaac Herzog për një falje të plotë, ndërsa përballja pesëvjeçare me drejtësinë po tensionon skenën politike dhe ndan opinionin publik.
Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ka kërkuar zyrtarisht falje presidenciale nga Presidenti Isaac Herzog, në një prej lëvizjeve më të debatueshme të viteve të fundit në politikën izraelite. Kërkesa lidhet me tre çështje gjyqësore ku ai akuzohet për ryshfet, mashtrim dhe shpërdorim besimi, akuza të cilat Netanyahu i mohon.
Presidenca izraelite konfirmoi se kërkesa është marrë dhe se do të shqyrtohet me opinione ligjore nga drejtësia, duke theksuar se procedura ka pasoja të rëndësishme për shtetin. Vendimi nuk ka afat të përcaktuar.
Në një video-mesazh, Netanyahu tha se do të kishte preferuar ta çonte procesin deri në fund, por interesat kombëtare kërkonin një zgjidhje të shpejtë. Ai theksoi se mbyllja e gjyqit do të ulte tensionet e brendshme dhe do të sillte pajtim kombëtar.
Opozita izraelite reagoi menjëherë, duke akuzuar Netanyahu se po e lidh interesin personal me atë shtetëror. Sipas tyre, një falje mund të merret vetëm pasi ai të pranojë fajin, të shprehë pendesë dhe të tërhiqet menjëherë nga jeta politike.
Prokuroria e akuzon Netanyahun për marrje dhuratash nga biznesmenë të fuqishëm, për ndërhyrje në qarkullimin e një gazete në këmbim të mbulimti pozitiv dhe për favore ndaj një kompanie telekomunikacioni në këmbim të përfitimeve mediatike.
Mbështetësit e Netanyahut dhe partia e tij Likud e kanë kërkuar prej kohësh një falje të tillë, duke e cilësuar procesin gjyqësor si politik. Por për shumë izraelitë, një falje presidenciale do të përbënte goditje ndaj sistemit të drejtësisë dhe imazhit të Izraelit si demokraci funksionale.
Skena politike izraelite mbetet e tensionuar, pasi Netanyahu deklaroi se detyrimi për t’u paraqitur tri herë në javë në gjykatë e pengon atë të drejtojë vendin dhe të merret me sfidat aktuale të sigurisë.
Përveç çështjeve të brendshme, Netanyahu përballet edhe me një mandat arresti të lëshuar nga Gjykata Ndërkombëtare Penale për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit gjatë luftës me Hamasin. Ai e ka cilësuar këtë vendim si antisemitik.
Presidenti Herzog do të vendosë mbi kërkesën në një moment kur vendi është ende i mbërthyer nga ndarjet e thella politike, protestat për reformën gjyqësore dhe pasojat e luftës në Gaza.
