
Delegacionet amerikane dhe ukrainase raportojnë përparim në bisedimet e Floridës, ndërsa emisari i Tramp pritet t’i paraqesë Putinit një tekst të rishikuar që po ngjall shqetësime në Kiev dhe Evropë.
Bisedimet e reja për një plan të propozuar paqeje mes Ukrainës dhe Rusisë kanë hyrë në një fazë delikate, ndërsa zyrtarët amerikanë dhe ukrainas u takuan në Florida për të diskutuar versionin e fundit të dokumentit. Sekretari i Shtetit, Marco Rubio, deklaroi se janë shënuar përparime, por pranoi se plani mbetet i paqartë dhe kërkon korrektime të thella pas vërejtjeve të partnerëve evropianë.
Takimi u zhvillua në Miami, ku delegacioni ukrainas, i udhëhequr nga Rustem Umerov, u ul përballë ekipit amerikan të përbërë nga Rubio, Jared Kushner dhe emisari i posaçëm i Donald Trump, Steve Witkoff. Ky i fundit, i kritikuar prej muajsh për afërsinë e tij me biznesmenë rusë, u vu në qendër të vëmendjes për heshtjen dhe qëndrimin e tensionuar gjatë negociatave.
Zëvendësministri i jashtëm ukrainas, Sergiy Kyslytsya, e përshëndeti publikisht udhëheqjen e Rubios dhe qasjen e Kushner, por la jashtë vlerësimin për Witkoff, një mungesë që u interpretua si qëndrim i matur ndaj figurës së kontestuar që do t’i paraqesë Vladimir Putinit versionin e rishikuar të planit.
Rubio, në një deklaratë para kamerave, theksoi se synimi nuk është vetëm ndalimi i luftimeve, por arritja e një zgjidhjeje që garanton pavarësinë dhe sovranitetin e Ukrainës. Në Kiev, megjithatë, ka frikë se Washingtoni mund të shtyjë drejt një marrëveshjeje që u jep përfitime gjeopolitike amerikanëve dhe rusëve, duke e vënë Ukrainën përballë kompromisesh të vështira territoriale.
Drafti i planit të paqes është ende sekret, por burimet diplomatike thonë se korrigjimi i tij është bërë i domosdoshëm pas reagimeve negative nga vendet evropiane, të cilat kanë paralajmëruar kundër çdo zgjidhjeje që legjitimon agresionin rus.
Në këtë kontekst të ndërlikuar diplomatik, prezenca e Rubio-s shihet si garanci e moderuar, ndërsa roli i Witkoff mbetet i paqartë dhe potencialisht problematik për Ukrainën. Emisari i Tramp pritet të takohet me presidentin rus për të paraqitur versionin e ri të dokumentit, një moment që mund të përcaktojë drejtimin e negociatave të ardhshme.
Ndërkohë, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky pritet të udhëtojë drejt Parisit për bisedime urgjente me aleatët evropianë, teksa Kievi përballet me frikën se presioni ndërkombëtar mund ta detyrojë drejt një kompromisi të rrezikshëm.
