
Nga Fondacioni Heritage te rrjetet euroskeptike në Hungari, Poloni dhe Britani, një sërë lëvizjesh politike po përputhen me interesat e Kremlinit dhe vijën nacionaliste të Donald Tramp.
Një investigim i ri i Corriere della Sera ngre alarmin për një bosht të fshehtë politik që, sipas dokumenteve dhe deklaratave publike, përputh interesat strategjike të Rusisë së Vladimir Putinit dhe rrethit politik të Donald Tramp. Qëllimi i kësaj aleance ideologjike, sipas analizës, është minimi i Bashkimit Europian dhe dobësimi i bashkëpunimit institucional mes vendeve të kontinentit.
Ministri italian i Mbrojtjes Guido Crosetto paralajmëroi së fundmi se shtete autoritare si Rusia, Kina, Irani dhe Koreja e Veriut po nxisin delegjitimimin e proceseve demokratike dhe të vetë BE-së. Por analiza zbulon se përveç këtyre aktorëve, edhe një segment i politikës amerikane, i lidhur me Fondacionin Heritage dhe administratën e Tramp, po e shtyn të njëjtin drejtim.
Fondacioni Heritage, një nga qendrat më të fuqishme konservatore të mendimit në SHBA, ka dekada që e konsideron projektin europian si kundërshtar strategjik. Qysh nga viti 2005, dokumentet e brendshme kanë argumentuar se BE duhet vënë në pikëpyetje dhe se Shtetet e Bashkuara duhet të luajnë rol në dobësimin e strukturave të saj.
Me rikthimin e Tramp në skenën politike, kjo linjë është forcuar. Presidenti i Heritage, Kevin Roberts, ka sulmuar hapur Brukselin, ndërsa zyrtarë amerikanë të lidhur me lëvizjen MAGA kanë krijuar kanale direkte komunikimi me grupet euroskeptike të Hungarisë, Polonisë, Britanisë dhe Spanjës. Rezultatet financiare tregojnë se organizatat konservatore amerikane kanë investuar mbi 110 milionë dollarë në degë europiane që synojnë ndryshimin e arkitekturës së BE-së.
Në të njëjtin drejtim ecën edhe Rusia. Putin e ka përdorur energjinë dhe varësinë ekonomike si mekanizëm presioni për të ndarë vendet e Europës. Hungaria e Viktor Orbán është shembulli më i dukshëm i ndikimit rus, falë skemës së varësisë nga nafta dhe gazit.
Brexit ka qenë pika më e afërt ku interesat e Putinit dhe Trampit janë përputhur hapur. Të dy e mbështetën publikisht daljen e Britanisë nga BE, duke përdorur të njëjtët aktorë politikë, përfshirë Nigel Farage, i cili sot mbetet një figurë kyçe e boshtit euroskeptik ndërkombëtar.
Sipas Transparency International, rritja e lobimit të organizatave amerikane në BE pas vitit 2022 është e paprecedentë, ndërsa shumë prej tyre nuk raportojnë aktivitetet e tyre sipas rregullave europiane të transparencës.
Analistët theksojnë se ndonëse interesi i Rusisë është të ndajë Europën për të rritur ndikimin mbi vendet e veçanta, interesi i Tramp është të dobësojë fuqinë kolektive europiane dhe modelin e integrimit që e sheh si kërcënim ekonomik dhe politik për dominimin amerikan.
Zyrtarisht, palët pretendojnë se veprojnë për mbrojtjen e sovranitetit kombëtar. Por dokumentet e publikuara dhe ngjarjet e fundit sugjerojnë një strategji që synon çmontimin gradual të BE-së, duke koordinuar presione të brendshme dhe të jashtme ndaj institucioneve të saj.
