![]()
Nga 1 dhjetori hapet procesi i tërheqjes së shpërblimit, me dy kategori pagesash dhe afat të zgjatur deri në qershor 2026
Procesi i shpërndarjes së bonusit të fundvitit për pensionistët ka nisur sot, 1 dhjetor 2025. Edhe pse dita shënon një pushim zyrtar, zyrat postare po operojnë normalisht për të mundësuar marrjen e pagesave.
Sipas Institutit të Sigurimeve Shoqërore, bonusi prej 15 mijë lekësh do të jepet për më shumë se 540 mijë përfitues: pensionistët me të ardhura mujore deri në 20 mijë lekë, përfituesit e pensioneve të invaliditetit, pensioneve familjare dhe sociale, si dhe disa kategori të tjera. Ndërkohë, rreth 221 mijë persona që marrin pensione mbi 20 mijë lekë, pension parakohe apo trajtime të veçanta financiare, do të marrin bonusin prej 10 mijë lekësh.
Shpërblimi i fundvitit mund të tërhiqet gjatë gjithë muajit dhjetor, ndërsa për pensionistët që nuk e marrin dot brenda këtij muaji, afati zgjatet deri më 30 qershor 2026.
Ministria e Financave ka bërë të ditur se në skemën e pensioneve janë akorduar rreth 7.6 miliardë lekë, ndërsa 5.9 miliardë lekë janë shtesë specifike për bonusin e fundvitit që mbulon rreth 750 mijë pensionistë në të gjithë vendin. Paralele me këtë, qeveria ka planifikuar edhe një rritje graduale mujore të pensioneve duke filluar nga janari i vitit 2026, përtej indeksimit të zakonshëm vjetor.
