
Audi i zi i atentatorëve braktiset dhe digjet në Mirakë, ndërsa hetimet për identifikimin e tyre vijojnë me intensitet
Pas vrasjes së biznesmenit Edmond Hyka në Elbasan, policia ka gjetur një automjet të djegur në zonën e Mirakës, në aksin Elbasan–Librazhd, që dyshohet të jetë përdorur nga autorët e atentatit. Hetuesit mendojnë se pas ekzekutimit, atentatorët janë larguar me një Audi të zi, të cilin më pas e kanë braktisur dhe i kanë vënë flakën për të zhdukur gjurmët.
Ngjarja ndodhi mbrëmjen e së dielës, në lagjen Emin Matraxhiu, pranë biznesit të 43-vjeçarit. Hyka u qëllua me armë zjarri sapo u fut në automjetin e tij Range Rover, duke marrë dy plumba në kokë që i shkaktuan vdekjen e menjëhershme. Viktima, i njohur me pseudonimin Mondi Mëhalla, kishte precedentë dhe jetonte në zonën Komuna e Parisit në Tiranë.
Menjëherë pas atentatit, policia ngriti pika kontrolli në daljet e qytetit dhe kreu verifikime në zona të ndryshme për gjetjen e autorëve. Automjeti i djegur në Mirakë konsiderohet një nga provat kryesore të hetimit, ndërsa grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po punon për të ndërtuar dinamikën e saktë të ngjarjes dhe për të identifikuar personat e përfshirë.
Operacioni për kapjen e ekzekutorëve vijon pa ndërprerje.
