
Aulon Kalaja tregon prapaskenat e mbledhjes në hotel dhe rolin e Salianjit, ndërsa mohon krijimin e një fraksioni të ri
Një takim mes Ervin Salianjit, Ilir Alimehmetit dhe disa prej emrave më të votuar në primaret e fundit të Partisë Demokratike ka ndezur dyshime për lëvizje të reja brenda PD-së. Edhe pse Sali Berisha e cilësoi takimin si një kafe të rastësishme, komentet politike e lexuan atë si një sinjal për një grupim të mundshëm të ri.
Në emisionin Shqipëria Live, Aulon Kalaja, një nga pjesëmarrësit, zbuloi detaje mbi bisedimet dhe mohoi kategorikisht se bëhet fjalë për krijimin e një fraksioni politik. Ai theksoi se synimi i tij ka qenë rikthimi i PD drejt linjës konservatore dhe se pjesa më e madhe e të pranishmëve nuk ndajnë të njëjtat bindje.
Kalaja u shpreh se kishte ngritur shqetësime mbi ndryshimet në Kodin Zgjedhor, duke theksuar se PD ka hyrë në negociata me PS pa konsultuar bazën. Ai shtoi se nuk pozicionohet as me Salianjin dhe as me Berishën dhe se pjesëmarrja e tij ishte pjesë e forumeve të mëparshme të diskutimit për ringritjen e PD.
Sipas tij, vetë Salianji i kishte telefonuar të gjithë të ftuarit për t’u mbledhur dhe për të ndarë pakënaqësitë pas zgjedhjeve. Kalaja tha se Berisha ishte treguar korrekt me ta dhe se ai vetë ishte larguar i pari nga takimi për shkak të një interviste të planifikuar.
Pavarësisht zhurmës politike, mbetet e paqartë nëse ky takim sinjalizon një rrymë të re të brendshme apo ishte thjesht një bashkëbisedim mes më të votuarve të PD.
