
Hetimet zbulojnë ryshfete me miliona euro, kontrata të manipuluara dhe zyrtarë të paprekshëm që për vite vepronin pranë presidentit ukrainas
Ukraina është goditur nga një seri zbulimesh të rënda korrupsioni që kanë rrëzuar një nga një figurat më të afërta me presidentin Volodymyr Zelensky. Përgjimet, dokumentet dhe hetimet e Agjencisë Antikorrupsion kanë nxjerrë në dritë një sistem ryshfeti të përhapur, ku valixhe me miliona euro qarkullonin në duart e zyrtarëve që ndiheshin të paprekshëm.
Bisedat e përgjuara zbulojnë se ryshfetet shpesh transportoheshin si të ishin sende të zakonshme. Njëri prej të hetuarve përshkruan se si një kuti me dorezë, ngjashëm me një çantë laptopi, mbante 1.6 milionë dollarë dhe transportohej nëpër rrugët e Kievit mes frikës dhe normalitetit të rrezikshëm të korrupsionit.
Sipas hetuesve, rrethi i ngushtë që vepronte pranë Zelenskyt grumbullonte 10–15% të të gjitha kontratave të gjigantit shtetëror Enerhoatom, duke shkaktuar humbje të vlerësuara nga 75 deri në 100 milionë euro. Ryshfeti rrallë jepej cash; zakonisht përdorej rrjeti i firmave konsulente, gjoba arbitrare dhe skema të tjera të maskuara.
Ky sistem ka përfshirë emra me peshë të madhe politike. Në hetimin për Andriy Yermak, shefin e kabinetit të presidentit, përfshihet edhe Rustem Umerov, i cili sot drejton Këshillin e Sigurisë Kombëtare. Umerov ishte emëruar nga Zelensky për të udhëhequr delegacionin në negociatat e Floridës, duke e bërë hetimin edhe më tronditës për administratën.
Në listën e zyrtarëve që u përplasën me rrethin e ngushtë përfshihen kryeministrja Yulia Svyrdenko, ish-kryediplomati Dmytro Kuleba i shkarkuar për autonomi të tepruar, Oleksandr Kubrakov i larguar për lidhje të forta me administratën Biden, si edhe Mykhailo Fedorov, i cili kërkoi transparencë për fondet e dronëve, duke sfiduar interesat e njerëzve pranë Yermakut.
Alarmi u ndez fuqishëm në qershor kur zëvendëskryeministri Oleksiy Chernyshov u arrestua për abuzime me tokat shtetërore dhe u lirua me garanci prej 2.9 milionë dollarësh. Ai pranohej se merrte zarfe me para edhe në zyrë, edhe në klinika private. Ishte hera e parë që një zyrtar i këtij niveli përfundonte menjëherë në pranga.
Analistët në Kiev flasin për një rreth të rrezikshëm, ku hyje me vështirësi dhe dilje edhe më vështirë. Deputetë të Radës thonë se gabimi më i madh i Zelenskyt ka qenë injorimi i paralajmërimeve për vjedhjet e afërta me të, duke krijuar terrenin që solli sot skandalet më të mëdha të korrupsionit gjatë viteve të luftës.
Hetimet vazhdojnë dhe priten lëvizje të tjera në nivelet më të larta të pushtetit ukrainas./ Corriere della Sera
