Aksesueshmëria në infrastrukturë dhe transport është element thelbësor për jetën e personave me aftësi të kufizuara (PAK), pasi ndikon drejtpërdrejt në përfshirjen e tyre sociale dhe cilësinë e jetës. Megjithatë, për shumë prej tyre, mungesa e kushteve të përshtatshme është një barrë e përditshme që i pengon të lëvizin lirshëm, të jenë të pavarur dhe të marrin pjesë në shoqëri si qytetarë të barabartë.
Një audit i Kryesisë së Lartë të Shtetit (KLSH) tregon se masat e ndërmarra deri tani për përmirësimin e aksesueshmërisë janë zbatuar pjesërisht, në mënyrë të fragmentuar dhe pa koordinim ndërinstitucional. Sipas auditit, mungon një orientim strategjik i qartë dhe ndikimi i ndërhyrjeve ka qenë shumë i kufizuar.
Infrastruktura publike urbane paraqet mangësi të theksuara. Në shumicën e rasteve mungojnë standardet e detyrueshme për akses në procesin e planifikimit dhe lejeve të ndërtimit. Ndërhyrjet për përmirësimin e kushteve — si rampa, sinjalistika, trotuare të përshtatshme apo kalime për këmbësorë — janë kryer në mënyrë sporadike dhe shpesh pa respektuar standardet teknike. Në disa zona, infrastruktura jo vetëm që është e papërshtatshme, por edhe e bllokuar nga përdorime të paligjshme, ndërsa mungesa e mirëmbajtjes e ka përkeqësuar më tej situatën.
Edhe në transportin publik rrugor, situata paraqitet problematike. Shqipëria nuk ka një kuadër ligjor të harmonizuar me rregulloret e Bashkimit Evropian apo standardet e Kombeve të Bashkuara për aksesueshmëri. Ligji aktual për transportin rrugor dhe aktet nënligjore nuk përcaktojnë detyrime të qarta për përshtatjen e mjeteve dhe shërbimeve për nevojat e PAK. KLSH thekson se Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë (MIE) nuk ka ndërmarrë masa konkrete për përfshirjen e kritereve të aksesueshmërisë në procesin e licencimit të operatorëve, në kontrollin teknik të mjeteve, apo në zhvillimin e shërbimeve alternative – si transporti “derë më derë” për zonat e vështira. Gjithashtu mungojnë udhëzues, harta orientuese dhe materiale informuese për PAK mbi përdorimin e transportit publik.
Një masë e rëndësishme e parashikuar në Planin Kombëtar – rimbursimi i shpenzimeve të transportit për PAK – nuk është zbatuar për shkak të mungesës së angazhimit të MIE-së dhe të mungesës së një mekanizmi funksional bashkëpunimi ndërmjet institucioneve.
Në nivel vendor, bashkitë nuk kanë zhvilluar politika të qëndrueshme për aksesueshmërinë. Ndërhyrjet e bëra kanë qenë të kufizuara, të paorganizura dhe të jashtë një strategjie të unifikuar. Bashkive u mungojnë struktura të specializuara, pika fokale për aksesueshmërinë, mjete vlerësimi si dhe raporte periodike për progresin. Po ashtu, ato nuk kanë marrë mbështetje të mjaftueshme teknike apo financiare nga institucionet qendrore.
Auditimi evidenton edhe mungesën e një mekanizmi efektiv për adresimin e ankesave të PAK. Institucionet përgjegjëse, përfshirë Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, nuk kanë ngritur sisteme të dedikuara për monitorimin e barrierave, publikimin e të dhënave apo analizimin e rasteve të diskriminimit në fushën e infrastrukturës dhe transportit.
