
Viktimat e një prej aferave më të mëdha në Francë denoncojnë heshtjen e drejtësisë dhe mungesën e transparencës pas gjashtë vitesh pritje
Gjashtë vite pas hapjes së hetimit, çështja Christian Nègre mbetet një nga dosjet më të zvarritura të drejtësisë franceze. Ish-funksionari i lartë i Ministrisë së Kulturës dhe më pas i DRAC Strasbourg akuzohet se, për gati një dekadë, u ka hedhur diuretikë në kafe dhe çaj mbi 240 grave, me qëllim që t’i detyronte të humbnin kontrollin e trupit dhe të urinonin para tij. Viktimat e përshkruajnë këtë si një formë nënshtrimi kimik, poshtërimi dhe dhune psikologjike që ka lënë pasoja të rënda emocionale.
Sipas dëshmive të mbledhura në dosjen gjyqësore, Nègre zhvillonte takime të gjata profesionale me gratë, shpesh të organizuara në zyrë ose gjatë itinerareve nëpër Paris. Gjatë tyre, viktimat ndjenin një nevojë të menjëhershme dhe të papërballueshme për të urinuar, ndërsa ish-zyrtari i fotografonte në mënyrë të fshehtë. Disa gra tregojnë se ai i çonte në rrugë të paqarta duke u premtuar se do të kishte tualete publike, gjë që nuk rezultonte e vërtetë. Më shumë se 30 prej tyre janë sot të përfshira si palë civile.
Dosja e njohur si “P Experiments” përmban dëshmi, foto, komunikime dhe elementë të tjerë që, sipas viktimave, tregojnë një skemë të qëndrueshme nënshtrimi kimik dhe poshtërimi të qëllimshëm, të përsëritur për afro një dekadë ndaj qindra grave.
Megjithëse rasti konsiderohet një nga aferat më të mëdha të nënshtrim kimik në Francë, e hapur fillimisht në vitin 2019, drejtësia nuk ka dhënë ende një përgjigje konkrete. Dy gjyqtare hetuese janë ngarkuar me dosjen, por viktimat thonë se kanë marrë vetëm pak informacione gjatë këtyre viteve dhe se shumica nuk janë dëgjuar asnjëherë individualisht nga gjyqtarët. Sipas tyre, mungesa e transparencës, komunikimit dhe ritmit të hetimit i ka lënë të ndihen të braktisura nga sistemi.
Avokatet që përfaqësojnë palët civile paralajmërojnë se rasti po shndërrohet në një rast tipik të viktimizimit të dytë institucional. Ato theksojnë se vonesat, mungesa e takimeve, mosrespektimi i afateve dhe mungesa e qasjes së rregullt në dosje e kanë rënduar edhe më shumë traumën e grave. Ndërsa dosja ka mbi 240 denoncime dhe prova të shumta, ekspertet e dhunës së lehtësuar me substanca paralajmërojnë se kjo lloj praktike shkakton pasoja të rënda psikologjike si stres post-traumatik, ankth dhe humbje të kontrollit personal.
Ndërkohë, Christian Nègre vazhdon të punojë në sektorin e burimeve njerëzore në një kompani private, gjë që shqetëson thellësisht viktimat, të cilat frikësohen se ai mund të bëjë dëm edhe të tjerëve. Ato kërkojnë transparencë, ritëm real të hetimit dhe një proces gjyqësor që të sjellë më në fund përgjigje, përgjegjësi dhe drejtësi.
Në pritje të zhvillimeve, ky skandal mbetet një simbol i një sistemi gjyqësor të ngarkuar dhe të ngadaltë, ku viktimat e dhunës seksuale dhe kimike shpesh përballen me një rrugë të gjatë, të lodhshme dhe të dhimbshme drejt njohjes dhe dënimit të autorëve.
