
Takimi në Elize vjen ndërsa SHBA shtyn një plan për t’i dhënë fund luftës, emisari amerikan shkon drejt Moskës dhe BE kërkon që Rusia të mos shpëtojë nga përgjegjësia për krimet e luftës
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky u prit sot në Elize nga Emmanuel Macron, në një moment që po përshkruhet si kritik për negociatat rreth planit amerikan për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë. Pas takimit dhe konferencës së përbashkët për shtyp, dy liderët nënvizuan se nuk ka ende një plan paqeje të finalizuar për çështjen e territoreve dhe se asnjë vendim nuk mund të merret pa pjesëmarrjen e plotë të Ukrainës dhe aleatëve evropianë.
Macron theksoi se puna mbi garancitë e sigurisë për Ukrainën është “finalizuar në pjesën evropiane”, por sqaroi se nuk ekziston sot një plan tërësor paqeje: çështjet e territorit mund të diskutohen vetëm nga Zelensky, ndërsa çështjet e sanksioneve, aseteve të ngrira dhe garancive të sigurisë duhet të merren së bashku me vendet evropiane. Ai e bëri të qartë se pa Ukrainën, Rusinë dhe evropianët rreth të njëjtës tryezë, nuk mund të flitet për një marrëveshje të plotë.
Takimi në Paris vjen në sfondin e negociatave intensive mes delegacioneve amerikane dhe ukrainase në Florida rreth planit të Uashingtonit. Negociatori ukrainas Rustem Umerov ka folur për “progres të rëndësishëm”, por ka pranuar se duhen ende përshtatje në disa pika. Emisari amerikan Steve Witkoff pritet të udhëtojë për në Moskë për t’u takuar me Vladimir Putinin, lëvizje që ka ngritur shqetësime në Bruksel mbi rrezikun që presioni të bjerë kryesisht mbi Ukrainën.
Shefja e diplomacisë së BE Kaja Kallas paralajmëron se nuk mund të ketë paqe të diktuar mbi kokën e Kievit dhe se çdo zgjidhje që shmang përgjegjësinë e Rusisë për krimet e luftës do të ishte një gabim historik. Edhe komisioneri evropian për drejtësinë, Michael McGrath, ka theksuar se përpjekjet për paqe nuk duhet t’i lejojnë Moskës të shmangë ndjekjen penale për mizoritë në Ukrainë, duke kujtuar edhe mandatin e arrestit të lëshuar nga Gjykata Penale Ndërkombëtare ndaj Putinit për deportimin e fëmijëve ukrainas.
Nga ana e tij, Zelensky përsëriti vijat e kuqe të Kievit: nuk ka koncesione territoriale dhe çdo marrëveshje duhet të garantojë që Rusia të mos e ndiejë luftën si një shpërblim. Ai kërkoi që përdorimi i aseteve ruse të ngrira të shërbejë për të paguar dëmet e shkaktuara nga agresioni dhe nënvizoi se qytetarëve ukrainas duhet t’u garantohet se nuk do të ketë një agresion të dytë.
Paralelisht me diplomacinë, lufta në terren vazhdon. Nëntori ka qenë muaji me përparimin më të madh territorial rus në një vit, me afro 700 kilometra katrorë të marrë nën kontroll, ndërsa sulmet me raketa dhe dronë kanë goditur sërish qytete si Dnipro, ku raportohen të vdekur dhe dhjetëra të plagosur. Ukraina njofton se ka rrëzuar dhjetëra dronë Shahed, por infrastruktura civile dhe energjetike mbetet nën presion të vazhdueshëm.
Turqia nga ana tjetër ka dënuar si eskalim të rrezikshëm sulmet me dronë kundër tankerëve të flotës fantazmë ruse në Detin e Zi, duke paralajmëruar rreziqe për lundrimin dhe mjedisin në zonën e saj ekonomike ekskluzive. Në frontin ekonomik global, instituti SIPRI raporton se shitjet e armëve nga 100 kompanitë më të mëdha në botë kanë arritur rekord historik, të nxitura kryesisht nga kërkesa e rritur e vendeve evropiane pas pushtimit të Ukrainës.
Ndërsa emisari amerikan përgatitet për Moskën dhe liderët evropianë flasin për një javë vendimtare për diplomacinë, mesazhi nga Parisi është i qartë: asnjë marrëveshje pa Ukrainën në qendër, asnjë kompromis që i jep Kremlin-it ndjesinë e një fitoreje dhe asnjë paqe që ndërtohet duke harruar viktimat dhe krimet e luftës.
