
Të miturit dyshohet se përgatitnin një sulm ndaj një vendi kulti hebre dhe ishin aktivë në një grup radikal pro-ISIS në WhatsApp
Dy adoleshentë 16-vjeçarë u vunë nën hetim dhe u arrestuan në Paris, të dyshuar për përgatitjen e një atentati me motiv antisemit dhe lidhje me ideologjinë e Shtetit Islamik. Prokuroria Kombëtare Antiterroriste bëri të ditur se ndaj tyre është hapur një procedim për asociim terrorist në kuadër të planifikimit të një ose disa krimeve kundër personave, pas katër ditësh në ndalim.
Hetimet e DGSI çuan te i dyshuari i parë, një i ri me origjinë nga Çeçenia, i cili jeton në Strasburg dhe është përshkruar si i izoluar, i papërfshirë në shkollë dhe konsumues i videove ultra-të dhunshme dhe propagandës së ISIS. Ai ishte aktiv në një grup WhatsApp të quajtur 100 ku qarkullonin mesazhe antisemitiste dhe thirrje për dhunë. Sipas hetimeve, një anëtar i grupit kishte shpallur synimin për të vrarë hebrenj brenda pesë ditësh dhe kishte publikuar një foto me thikë në dorë.
Gjurmët e çuan autoritetet edhe te një i mitur i dytë, francez, 16 vjeç, banues në rajonin e Parisit, i cili kishte komunikim të ngushtë me të riun çeçen dhe dyshohet se ishte përfshirë në projektin e dhunshëm. Të dy të rinjtë janë tani në paraburgim, ndërsa hetimet vazhdojnë për të përcaktuar shkallën e avancimit të planit të sulmit dhe rolin e secilit në projektin xhihadist.
Sipas PNAT, që nga fillimi i vitit, 20 të mitur në Francë janë vendosur nën hetim për vepra me natyrë terroriste.
