Një shqiptar rrezikon një vit burg dhe një gjobë prej 1.600 eurosh, sepse në vitin 2023 u fut me forcë në shtëpinë e ministres flamande Zuhal Demir në Genk të Belgjikës.
Ai u identifikua falë gjurmëve të ADN-së të gjetura në një ‘derrkuc kursimesh
Nga Shauni Deferm, HBVL
Më 7 janar 2023, ministrja flamande, Zuhal Demir, pati vizitë të padëshiruar në banesën e saj në Genk. Një shqiptar kishte kaluar mbi rrethimin dhe ishte futur brenda përmes një dritareje.
“Ai e kontrolloi gjithë shtëpinë dhe vodhi pesëdhjetë euro nga një ‘derrkuc kursimesh’”, tha prokurori të hënën në mëngjes gjatë shqyrtimit të çështjes në gjykatën e Tongerenit.
Hetuesit arritën ta lidhin personin në fjalë me ngjarjen përmes gjurmëve të ADN-së.
Ai më herët ishte dënuar gjithashtu për vepra të ngjashme që i kishte kryer në janar dhe shkurt 2024. Për to, ai kishte marrë tashmë tre vjet burg. Përveç kësaj, ai është i njohur edhe nga autoritetet në Gjermani dhe Spanjë.
Prokurori i Tongerenit kërkon për thyerjen e shtëpisë së Demirit një dënim prej një vit burg dhe një gjobë prej 1.600 euro.
“Kur dikush vjedh me thyerje në shtëpinë tënde, kjo cenon në mënyrë të jashtëzakonshme ndjesinë e sigurisë”, deklaroi prokurori.
Shqiptari u lirua muajin e kaluar me kushte dhe ndërkohë u kthye në Shqipëri. Për shkak se ai ka një ndalim hyrjeje në Evropë, ai nuk ishte i pranishëm në gjykatë të hënën gjatë shqyrtimit të dosjes.
