Vrasja e Edmond Mëhallës që ndodhi mbrëmjen e 30 nëntorit në Elbasan, po shkon drejt zbardhjes. Raportohet se policia ka arrestuar dy persona dhe ka shpallur në kërkim një të tretë.
Të arrestuarit dyshohet se kanë ndihmuar në organizimin dhe mbulimin e gjurmëve, ndërsa i shpalluri në kërkim konsiderohet si një nga personat kryesorë për zbardhjen e plotë të dinamikës.
Shkak i vrasjes dyshohet të jetë një konflikt i kohëve të fundit të viktimës.
Mbrëmjen e djeshme Policia ka shoqëruar një person me banim ne Lezhë. Bëhet fjalë për shtetasin Naldi Gj. i cili rezulton se ka lëvizur ditë më parë me automjetin tip Audi para se të ndodhte vrasja.
Ky mjet u gjet i djegur dhe dyshohet se u përdor nga autorët.
Automjeti është në pronësi të një prej kompanive të vetë viktimës, Mondi Mehalla.
Në shtëpinë e Naldi Gj. në Lezhë është ushtruar kontroll dhe personi po shoqërohet në policinë e Elbasanit për të dhënë shpjegime për lëvizjet e tij.
Përveç Naldo Gjinit, i cili ditët e fundit ishte parë duke qarkulluar me mjetin e përdorur nga autorët dhe vijon të mbahet ende i shoqëruar, policia ka thirrur për sqarime ish-ortakun e Mëhallës si dhe rojen e karburantit.
Sipas burimeve, konfliktet e fundit mes biznesmenit dhe ish-partnerit të tij në biznes kanë ngritur dyshime, ndërsa ky i fundit dyshohet se ka dhënë deklarime të pavërteta lidhur me vendndodhjen e tij në momentin e vrasjes. Roja i pikës së karburantit, ndërkohë, po hetohet për pengim të zbulimit të së vërtetës.
Mbrëmjen e djeshme, operacioni i policisë solli arrestimin e ish-ortakut të Mëhallës si autor të dyshuar të ekzekutimit, si dhe të rojes së karburantit “Xhaxhi Oil” për veprime që penguan hetimin. Në kërkim është shpallur edhe një tjetër person, i dyshuar si bashkëpunëtor në organizimin e atentatit. Sa i përket Naldo Gjinit, me origjinë nga Lezha, policia kishte ushtruar kontrolle në banesën e tij pasi automjeti i përdorur në krim ishte pronë e subjektit të Mëhallës, i cili merrej me dhënien e makinave me qira.
Mondi Mëhalla, i njohur edhe me emrin Edmond Hyka, nuk ishte i panjohur për autoritetet. Me precedentë të mëparshëm për lëndë narkotike dhe armëmbajtje pa leje, ai jetonte në Tiranë, ndërsa prej vitesh kishte shtrirë aktivitetin në Elbasan, pronar i karburantit “Xhaxhi Oil”, ku edhe u ekzekutua, i shërbimit të taksive “El Taxi”, dhe më herët i lokalit “Hollyëood Lounge Bar”, biznes që ndërpreu aktivitetin pak vite më parë.
