Kreu i grupit parlamentar i Partisë Socialiste, Taulant Balla tha në një komunikim për mediat nga Kryesia e Kuvendit se PS nuk do propozojë asnjë emër për Avokatin e Popullit po do mbështesë kandidatët e propozuar nga opozita.
Balla tha se mazhoranca do presë të mbarojë afati zyrtar për dorëzimin e kandidaturave për të thënë fjalën e saj të fundit.
“Ne do të shprehemi për këto kandidatura brenda afatit. Unë prandaj po bëj këtë komunkim. Besoj që është më e mira e mundshme në këto kushte që ne jemi tërhequr nga propozimi dhe të votojmë nga kandidaturat e opozitës. Nuk i kam parë ende të gjitha kandidaturat. Pasi të kemi listën e plotë, pasi komisioni për çështjet ligjore të vlerësojë nëse i kanë përmbushur kriteret, numrin e firmave. Prisni sa të mbyllet afati i ditës së sotme. Kriteret i ka përcaktuar ligji dhe kushtetuta ndërsa votat do të jenë pasi të kemi parë listën.
Shpresoj që do ta kemi Avokatin e Popullit brenda këtij sesioni me shpresën që deputetët t’i qëndrojnë firmës së tyre edhe në seancë. Dua që vendi të zgjedhë një avokat populli të propozuar nga opozita dhe mbështetur nga maxhoranca. Nuk ka asnjë marrëveshje, qasja jonë është më e mira e mundshme. Fakti që nuk po mbështesim një kandidaturë, duam të ecim në një traditë të konsoliduar parlamentare”-u shpreh Balla.
