Marselo Arani është shpallur në kërkim nga policia si një nga autorët e dyshuar të vrasjes së biznesmenit Mondi Mëhalla alias Edmond Hyka.
32-vjeçari nga Elbasani, i cili ishte nën masën e sigurisë “arrest shtëpie” për një tjetër vepër penale, akuzohet së bashku me 35-vjeçarin Armando Kola, banues në Laç, për ekzekutimin e 43-vjeçarit.
Ndaj tyre është ngritur akuza për veprat penale “Vrasje me paramendim”, kryer në bashkëpunim, “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve, armëve shpërthyese dhe municionit” dhe “Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit”.
Ndërkohë si bashkëpunëtor në vrasje është arrestuar ortaku i viktimës, Xhino Ago akuzohet për veprat penale “Vrasje me paramendim”, kryer në bashkëpunim, dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”.
Gjithashtu u arrestua edhe roja i karburantit, në pronësi të viktimës, 52-vjeçarin Kujtim Pisha për “Moskallëzim krimi”, pasi nuk ka dhënë informacion.
Kush është Marselo Arani
Më 4 Dhjetor 2024, ai u arrestua nën akuzën për pastrim parash, ndërsa iu sekuestruan pasuri me vlerë 136 mijë euro.
Ndaj tij, Gjykata e Elbasanit kishte caktuar më 1 dhjetor 2024 masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.
Gjithashtu, u bë sekuestrimi i 1 apartamenti në Durrës dhe 3 automjeteve, me vlerë rreth 136 000 euro, të cilat dyshohej se e kanë burimin nga veprimtaritë kriminale të 32-vjeçarit.
I riu ka qenë i arrestuar më parë në Itali, për pjesëmarrje në organizatë kriminale për shfrytëzim prostitucioni.
