
Ankimimi për pezullimin e zv.kryeministres mbetet pezull, pasi zbardhja e vendimit kërkon ditë të tëra pune.
Seanca për çështjen e pezullimit të Belinda Ballukut në Gjykatën Kushtetuese nuk është zhvilluar sot, pasi dosja e ankimuar nga kryeministri kërkon një verifikim të thelluar nga trupa gjykuese. Kërkesa për ngrirjen e pezullimit, e cila vjen pas vendimit të GJKKO, u trajtua vetëm në nivel paraprak dhe iu kalua mbledhjes së gjyqtarëve.
Tre gjyqtarët e caktuar janë mbledhur në orën 10 për të shqyrtuar materialet e paraqitura, të cilat sipas burimeve kërkojnë një analizë të detajuar dhe disa ditë kohë për t’u zbardhur plotësisht. Për këtë arsye, çështja nuk u fut në rendin e ditës së mbledhjes së gjyqtarëve.
Krahas saj, në Kushtetuese ndodhen edhe materiale të lidhura me masat e sigurisë për Erjon Çelën, çështje që ndërthuren me vendimin që prek ish-ministren e Infrastruktures. Megjithatë, organi kolegjial vendosi që dosja Balluku të trajtohet e ndarë dhe në një mbledhje të dedikuar.
Shtyrja e shqyrtimit lë pezull një nga çështjet me impakt më të madh politik të muajve të fundit, ndërsa pritet që gjykata të njoftojë datën e re të mbledhjes sapo të përfundojë analiza e plotë e dokumentacionit.
