
25-vjeçarja Karen Sofía Quiroz Ramírez publikoi një mesazh tronditës para se të përplasej me kamionin në Floridablanca, ndërsa autoritetet hetojnë dinamikën e ngjarjes
Karen Sofía Quiroz Ramírez, influencuesja e njohur kolumbiane e motorëve, humbi jetën në një aksident të rëndë rrugor pasi u përplas me një kamion dhe më pas u shtyp nga një tjetër automjet që vinte pas. Ajo u shpall e vdekur në vendin e ngjarjes.
Aksidenti ndodhi vetëm pak orë pasi 25-vjeçarja kishte ndarë në rrjetet sociale një postim ku shprehej e shqetësuar se po udhëtonte pa syze dhe se shpresonte të mos rrëzohej. Mesazhi, i cili tani po qarkullon gjerësisht, shihet si një paralajmërim i frikshëm për tragjedinë që pasoi.
Sipas autoriteteve të transportit në Kolumbi, dyshohet se Karen po kalonte ndërmjet dy mjeteve në trafik, një manovër e njohur si kalim mes korsive, çka mund të ketë çuar në përplasjen fatale. Zyrtarët kanë hapur hetimin për të rindërtuar me saktësi se si ndodhi ngjarja, duke u mbështetur në dëshmitarët dhe pamjet e CCTV-së.
Karen Sofía kishte krijuar një komunitet prej rreth 40 mijë ndjekësish në Instagram, ku publikonte video të motorëve, mirëmbajtjes dhe manovrave të rrezikshme që e bënë të njohur. Ditët para aksidentit, ajo postoi pamje të saj duke larë motorin shumëngjyrësh dhe duke bërë lëvizje koreografike teksa udhëtonte në rrugë.
Profili i saj është mbushur me dhjetëra mesazhe ngushëllimi pas lajmit tragjik, nga ndjekës që e përshkruajnë si një vajzë të talentuar dhe plot energji, që la pas një komunitet të tërë adhuruesish të motorëve.
