
Komisioni i Llogarive Publike në Londër hap hetim për Crown Estate, pas zbulimeve se Andrew Mountbatten-Windsor ka jetuar dy dekada në Royal Lodge me një qira simbolike, ndërsa familja mbretërore merr rezidenca të tjera me çmime tregu
Komisioni i Llogarive Publike i Parlamentit britanik ka njoftuar nisjen e një hetimi të veçantë mbi Crown Estate dhe marrëveshjet e qirasë që kjo strukturë shtetërore ka lidhur me anëtarët e familjes mbretërore. Nisma vjen pasi deputetët kërkuan shpjegime të detajuara për qiranë e konsideruar tepër të favorshme që Andrew Mountbatten-Windsor ka përfituar për rezidencën Royal Lodge në Windsor.
Andrew, i cili pas skandaleve dhe lidhjeve të diskutuara me Jeffrey Epstein nuk mban më titujt e dikurshëm, nënshkroi në vitin 2003 një kontratë 75-vjeçare me Crown Estate për Royal Lodge, një rezidencë me rreth 30 dhoma në Great Windsor Park. Ai pagoi rreth 1 milion paund si tarifë fillestare dhe mori përsipër punime rinovuese prej disa milionash paund, ndërsa më pas rezultoi se qiraja vjetore e përcaktuar ishte thjesht simbolike, e ashtuquajtura qira me një shumë “peperkorn”, që praktikisht do të thotë pothuajse zero pagesë gjatë dekadave të qëndrimit.
Deputetët e komisionit të posaçëm kërkuan nga Thesari britanik dhe Crown Estate korrespondencën e plotë, kopjet e kontratave dhe arsyetimin ligjor e financiar që justifikon një marrëveshje kaq të favorshme për një anëtar të familjes mbretërore që nuk ushtron më detyra zyrtare. Hetimi do të mbështetet edhe mbi një raport të mëparshëm të Zyrës Kombëtare të Auditit të vitit 2005 për qiratë e pronave të kurorës për familjen mbretërore, i cili tani po përditësohet me të dhënat e reja.
Komisioni ka bërë të ditur se, pasi të përpunohen përgjigjet nga Crown Estate, Thesari dhe raporti i ri i auditit, në fillim të vitit të ardhshëm do të zhvillohet një seancë dëgjimore publike me dëshmitarë të thirrur, ku pritet të analizohet nëse marrëveshjet e qirasë për Royal Lodge dhe rezidenca të tjera janë në përputhje me detyrimin ligjor për të siguruar vlerën më të mirë për taksapaguesit.
Ndërkohë, dokumentet e publikuara së fundmi tregojnë se Andrew Mountbatten-Windsor ka dhënë njoftimin minimal 12-mujor për dorëzimin e parakohshëm të Royal Lodge, dhe parashikohet të zhvendoset në një banesë më të vogël në pronën private të mbretit në Sandringham. Sipas vlerësimeve paraprake të Crown Estate, gjendja e amortizuar dhe riparimet e shumta që nevojiten në vilë mund të bëjnë që ish-princi të mos përfitojë pothuajse asnjë kompensim për dorëzimin e qirasë, megjithëse në teori, pa zbritjen e dëmtimeve, shuma maksimale e mundshme do të ishte rreth 488 mijë paund.
Kjo çështje ka ndezur më tej debatin në Britani për trajtimin financiar të anëtarëve joaktivë të familjes mbretërore, sidomos në raport me fondet publike që kalojnë përmes Crown Estate drejt Thesarit. Kontrasti është bërë edhe më i dukshëm pas publikimit të detajeve të një tjetër marrëveshjeje qiraje: Princi William dhe Princesha Kate kanë nënshkruar këtë vit një kontratë 20-vjeçare për Forest Lodge në Windsor Great Park me qira të vlerësuar në treg të hapur, pas ekspertizës së agjencive të njohura imobiliare.
Ndryshe nga Royal Lodge, ku qiraja simbolike e Andrew është parë si një privilegj i jashtëzakonshëm në raport me rolin e tij aktual, marrëveshja për Forest Lodge prezantohet si kontratë komerciale me kushte të krahasueshme me tregun, duke shtuar presionin që hetimi parlamentar të analizojë nëse standardet e transparencës dhe vlerës për para janë respektuar në mënyrë të barabartë për të gjitha rezidencat mbretërore.
