Këngëtarja Altuna Sejdiu e njohur me emrin e artit Tuna ka mbajtur një fjalim emocional në përkujtimoren e këngëtarit të ndjerë Shpat Kasapi, i cili ndërroi jetë javë e kaluar si pasojë e arrestit kardiak.
Gjatë fjalës së saj, Tuna u rikthye në kujtimet e fëmijërisë dhe rrugëtimit të tyre artistik.
“Unë dhe ti Shpat ecëm nëpër shumë rrugë bashkë, ishim shokë klase ishim fëmijë të bekuar me prindër që na mbështetën në ëndrrat tona për muzikën ishim adoleshentë që provuam barrën e popullaritetit para se ta kuptonim çfarë do të thoshte ajo, ishim dy të rinj që në betejat nga Shkupi të depërtonin në Prishtinë, Tiranë e kudo që ka shqiptarë dhe ia dolëm Shpat”, u shpreh ajo.
Tuna theksoi se Shpati arriti të lërë pas një trashëgimi të çmuar muzikore:
“Ti ia dole… kënga jote jehon në çdo qytet, në çdo shtëpi, në çdo zemër ku flitet shqip. Le muzikën që do të mbajë emrin tënd të gjallë përherë, le buzëqeshjen tënde… porosinë se të jesh i mirë, i pastër, i qetë, i dashur, është vlerë e njerëzimit.”
Artistja ndau dhe një premtim të ndjerë për djalin 3-vjeçar të Shpat Kasapit, Roelin:
“Shpat Kasapi miku ynë ti ishe dhe do të jesh pjesë e një brezi të artë, do të vijnë emrat e tjerë do të krijohen këngë të tjera por vendi yt drita jote nuk do të zëvendësohet dhe nëse një ditë Roeli vendos të ngjitet në skenë unë do të jem aty të premtoj do ta mbështes ashtu si dikur që ne mbështetëm njëri tjetrin ky është premtimi im për ty”, tha Tuna.
