
Irani zbulon rezervën më të madhe të arit të dekadës, një supergjetje që vjen në mes të sanksioneve dhe një ekonomie të goditur rëndë
Irani ka bërë publik një nga zbulimet më të mëdha minerare të viteve të fundit: një filon gjigant ari në minierën Shadan, në lindje të vendit. Autoritetet konfirmuan se rezervat e reja e çojnë kapacitetin total të kësaj zone në rreth 61 milionë tonë, një shifër e validuar nga Ministria e Industrisë, Minierave dhe Tregtisë.
Në një kohë kur ekonomia iraniane është e goditur nga sanksionet ndërkombëtare dhe eksportet e naftës janë të kufizuara, sektori minerar shihet si një aset strategjik për të mbuluar boshllëqet financiare të vendit. Banka Qendrore e Iranit ka rritur ndjeshëm blerjet e arit në tregjet ndërkombëtare vitet e fundit, duke u renditur mes institucioneve me blerjet më të mëdha në botë gjatë periudhës 2023–2024.
Rritja e rezervave të arit konsiderohet një mënyrë për të ulur varësinë nga monedhat e huaja dhe për të forcuar qëndrueshmërinë ekonomike. Kjo vjen në një moment kur rial iranian është në rënie të vazhdueshme, i shtyrë në nivele rekord të devalvimit. Në tregun informal, një dollar po këmbehet rreth 1.17 milionë rialë, ndërsa një euro rreth 1.36 milionë rialë. Inflacioni i lartë dhe çmimet në rritje kanë bërë që ari të mbetet investimi kryesor dhe më i sigurt për shumë qytetarë.
Sipas mediave vendase, Irani aktualisht ka rreth 15 mina ari aktive, me më të madhen Zarshouran në veriperëndim të vendit. Zbulimi i filonit të Shadan pritet të rrisë dukshëm peshën ekonomike të sektorit minerar iranian në vitet që vijnë.
