
Dokumentari Në Shënjestër zbardh të kaluarën kriminale të Lamit, rolin e tij në dy ekzekutime dhe njohuritë që dyshohet se ka për fatin e mbretit të lojërave të fatit
Emisioni Në Shënjestër ka ndërtuar një profil të detajuar të Ervis Lamit, një prej emrave më të përfolur në skenën kriminale shqiptare. Sipas të dhënave të siguruara nga emisioni, Lami rezulton i përfshirë në disa ngjarje të rënda, mes tyre vrasja e Lulzim Vishës e ndodhur më 25 janar, si dhe ekzekutimi me lëndë shpërthyese i Isuf Jaçajt. Hetimet e konsiderojnë atë si person që ka dijeni mbi zhdukjen e Ervis Martinajt, figurës më të kërkuar të botës së lojërave të fatit në Shqipëri.
Pjesë e dokumentarit theksojnë se Lami ka qenë i lidhur me grupe të cilat dyshohet se ushtronin presion dhe gjobëvënie ndaj biznesmenëve në zona të ndryshme të vendit. Rasti i biznesmenit Sajmir Sina përmendet si një shembull i atyre që, nga frika e përshkallëzimit, nuk kanë denoncuar kërcënimet dhe më pas janë përballur me pasoja të rënda.
Sipas rrëfimeve të mbledhura gjatë investigimit, shumë sipërmarrës janë detyruar të nënshtrohen përballë kërkesave të bandave që jetojnë nga ky fenomen, duke humbur pasuri, investime dhe, në raste të caktuara, edhe lirinë e tyre për t’u kundërvënë. Në disa raste, viktimat janë rrënuar financiarisht ose kanë zgjedhur të heshtin, duke pranuar fatin që u është imponuar.
Emri i Ervis Lamit pritet të mbetet në qendër të hetimeve, sidomos pas sinjalizimeve se ai mund të ketë informacione të rëndësishme për zhdukjen e Ervis Martinajt, një çështje që prej më shumë se dy vitesh mbetet ende pa përgjigje.
