
HUNGARI: golf privat, zebra dhe pishina – Viktor Orbán nën zjarrin e kritikave për rezidencën luksoze
Kryeministri hungarez Viktor Orbán po përballet me kritika dhe presion nga opinioni publik për rezidencën e tij luksoze. Një video e regjistruar nga një politikan opozitar ka tërhequr vëmendjen. Orbán pretendon se prona është një fermë që i përket babait të tij, por kundërshtarët thonë se ai e përdor për vete dhe e rinovon me para shtetërore. Kryeministri i quan këto akuza një betejë elektorale.
Vila në Hatvanpuszta ka qenë e njohur vetëm nga larg, por një video e re – e ndjekur nga 700 mijë njerëz brenda një dite – tregon parqe të dizajnuara, pishina dhe dhoma ngrënieje të mëdha. Për shkak të luksit, kritikat e kanë quajtur “Versaja hungareze”, si simbol të pasurisë së familjes Orbán.
Kryeministri hungarez distancohet nga çështja, duke pretenduar se nuk ka dijeni për aktivitetet në rezidencën luksoze. Sipas tij, përgjegjësia i takon babait të tij, Győző Orbán, i cili deklaron se bëhet fjalë për një fermë.
Megjithatë, këtë narrativë e hedh poshtë autori i videos, deputeti dhe aktivisti Ákos Hadházy. Ai shprehet se asgjë nuk mbështet pretendimin për një fermë. Sipas tij, përveç disa makinerive bujqësore të vendosura në terren, nuk ka asnjë shenjë që tregon për veprimtari bujqësore. Përkundrazi, zona përfshin një parking nëntokësor, një hapësirë të rrethuar për zebra dhe një klub golfi – elemente që i japin pamjen e një resorti ekskluziv më shumë sesa të një ferme tradicionale.
Kritikët pretendojnë se riparimet janë paguar me fonde publike. Terrenet e mëdha shtrihen deri në fshatin fqinj Felcsút, ku Viktor Orbán ka kaluar një pjesë të fëmijërisë dhe ku ndodhet edhe shtëpia e tij. Ai po investon gjithashtu në zhvillimin e fshatit, duke mbështetur ndërtimin e një stadiumi të ri modern, i cili mund të presë më shumë spektatorë sesa popullsia e tërë fshatit.
Komuna merr miliona dollarë nga fondet e BE-së dhe nga investitorë privatë. Aktivistët prej kohësh kanë paralajmëruar për korrupsion të mundshëm – përfshirë edhe rastin e Hatvanpusztas. Paratë për rinovimin e saj, sipas tyre, vijnë nga fondet publike. Qeveria Orbán akuzohet gjithashtu për dhënien e subvencioneve të paligjshme ndaj mediave proqeveritare, sipas Financial Times.
Deputeti opozitar Ákos Hadházy pretendon se është ndjekur nga agjentë sigurie ndërsa po filmonte pranë rezidencës, rreth një javë më parë. Sipas tij, ndjekja përfundoi me një aksident, i cili aktualisht është nën hetim nga policia.
Nga ana tjetër, reagimet nga kampi qeveritar nuk kanë munguar. Anëtarë të kabinetit e kanë akuzuar deputetin për veprim të paligjshëm, duke e kritikuar për shkelje të privatësisë. Ministri i Jashtëm i Hungarisë, Péter Szijjártó, deklaroi: “Një deputet duhet të japë shembull duke respektuar ligjin dhe duke mos hyrë në hapësirën private të askujt.”
Në përgjigje të deklaratave të ministrit Szijjártó, deputeti Ákos Hadházy u shpreh: “Nëse kjo është një rezidencë private, atëherë pse kryeministri e ka mohuar vazhdimisht ekzistencën e saj?” – duke theksuar se bëhet qartë fjalë për një rezidencë private.
Ndërkohë, Brukseli ka ngrirë rreth 18 miliardë euro fonde të BE-së për shkak të korrupsionit. Budapesti thotë se kjo është një ndëshkim për mospajtimin politik.