Këngëtari i njohur, Endri Prifti ka folur për familjen e tij dhe marrëdhënien me djalin e tij të vogël, duke treguar se kishte tre vite pa e takuar dhe është ribashkuar vetëm katër muaj më parë.
I ftuar në ‘Goca dhe Gra’, këngëtari ka treguar me emocion momentin e ribashkimit rreth katër muaj më parë, duke kujtuar ardhjen e djalit dhe fjalinë e tij se atë e kishte marrë malli.
“Kam 2 djem. Tani e takova edhe djalin e vogël, para katër muajsh pas tre vitesh. Më erdhi vetë, më tha më ka marrë malli. Më iku truri fare mua. Nuk ka gjë më të bukur se të jesh afër fëmijëve. Kur nuk e shikoja djalin e vogël, më dukej vetja bosh. Nga mungesa edhe abuzonim një çikë. Nga një gotë tani do e pimë ne”, tha ai.
Endri ka treguar gjithashtu se për shumë kohë nuk e ka takuar të atin e tij, për shkak dhe të largësisë, por gjithsesi këngëtari u shpreh se e ka falur për mungesën e tij për një kohë shumë të gjatë, që edhe pse shkëmbehej në rrugë, ai nuk i fliste.
“Unë fal çdo njeri në jetë. Jeta kështu ishte atëherë, komunizëm. Unë babin se kam parë asnjëherë, vetëm në rrugë. Kështu ishte jeta. Kur kaluan shumë vite e takuam në një dasmë. Do donim ta takonim, por kaluan shumë vite dhe ai s’kishte më forcë të na takonte. Kështu ndodhi. Ishim larg. Të falur janë të gjithë”, tha Endri.
