Një studim i ri, i publikuar në revistën prestigjioze Pediatrics, paralajmëron se posedimi i një telefoni të mençur para moshës 12 vjeç mund të ketë pasoja serioze për shëndetin mendor dhe fizik të fëmijëve. Studiuesit kanë identifikuar rrezik të shtuar për depresion, probleme me gjumin dhe obezitet te fëmijët që kanë pasur telefon personal që në fillim të adoleshencës.
Çfarë zbuluan hulumtuesit
Ekipi hulumtues nga Spitali Pediatrik i Filadelfias, Universiteti i Kalifornisë në Berkeley dhe Universiteti Columbia analizoi të dhënat e më shumë se 10.000 adoleshentëve amerikanë, pjesëmarrës në studimin kombëtar ABCD, studimi më i madh afatgjatë mbi zhvillimin e trurit dhe shëndetin e fëmijëve në SHBA. Mbi 63% e fëmijëve në studim kishin smartfon personal dhe mosha mesatare kur e kishin marrë ishte 11 vjeç. Sa më i vogël të ishte fëmija kur merrte telefonin, aq më i madh rreziku për çrregullime të gjumit ose shtim të peshës trupore.
Pse rreziku lidhet me vetë telefonin, jo me përmbajtjen
Studiuesit nuk analizuan se çfarë bëjnë fëmijët në telefon, por vetëm ndikimin e faktit të posedimit të pajisjes. “Pyetja ishte e thjeshtë: a ndikon vetë fakti që fëmija në këtë moshë ka telefoni personal në rezultatet shëndetësore?”, shpjegoi për CBS News dr. Ran Barzilay, psikiatër për fëmijë dhe autori kryesor i studimit. Rezultatet treguan se fëmijët që deri në moshën 12 vjeç nuk kishin telefon, një vit më vonë kishin mirëqenie mendore dukshëm më të mirë sesa bashkëmoshatarët me telefon. Edhe kur u mor parasysh përdorimi i tabletëve, rezultatet mbetën të pandryshuara.
Paralajmërimi për prindërit
Dr. Barzilay thekson se prindërit duhet ta kuptojnë se telefoni i mençur është “faktor i rëndësishëm në shëndetin e adoleshentëve” dhe vendimi për blerjen nuk duhet të jetë impulsiv. Ai shton se telefonat kanë edhe anë pozitive, lehtësojnë komunikimin, mësimin dhe japin ndjenjë sigurie, por përdorimi duhet të jetë i mbikëqyrur për të shmangur përmbajtjet e papërshtatshme dhe çrregullimet e gjumit. Në fazën e ardhshme, ekipi synon të analizojë sjelljet specifike të lidhura me përdorimin e telefonit që mbartin rrezikun më të madh dhe të studiojë fëmijët që marrin telefon para moshës 10 vjeç.
