Një ngjarje e rëndë ka tronditur komunitetin në Pianello Vallesina, një fshat i vogël në Monte Roberto, provinca e Ankonës, ku një grua 49-vjeçare, me origjinë maqedonase, është gjetur e vdekur në banesën e saj. Viktima është identifikuar si Sadjide Muslija.
Sipas raportimeve fillestare të mediave italiane, ajo dyshohet se është rrahur për vdekje nga bashkëshorti i saj, Nazif Muslija, 50 vjeç, i cili aktualisht është i shpallur në kërkim.
Sipas mediave italiane, Muslija kishte një histori të gjatë dhune ndaj gruas së tij. Ai ishte arrestuar më parë në prill pas një sulmi tjetër, gjatë të cilit kishte thyer derën e dhomës së gjumit me një sëpatë, kishte kërcënuar gruan dhe i kishte thyer telefonin celular, duke i thënë: “Do të të vras sonte”. Pas këtij incidenti, viktima ishte strehuar në shtëpinë e fqinjëve.
Në korrik, Nazif Muslija kishte rënë dakord për një marrëveshje pranimi fajësie dhe çifti kishte rikthyer bashkëjetesën, megjithë historikun e dhunës. Viktima kishte deklaruar më parë se i ishte nënshtruar dhunës fizike nga bashkëshorti i saj për dy vite me radhë.
Sipas mediave italiane, punëdhënësi i Sadjides raportoi mungesën e saj në punë këtë mëngjes, çka nxiti ndërhyrjen e karabinierëve. Kur shkuan në banesë, ata e gjetën gruan të pajetë, shtrirë në shtrat dhe me shenja të dukshme dhune.
Policia ka shpallur në kërkim bashkëshortin, i dyshuar për femicid. Autoritetet po vijojnë hetimet për të sqaruar rrethanat e ngjarjes dhe për të siguruar kapjen e autorit.
