
Gjykata e Apelit në Tizi Ouzou rrëzon shpresat për lirim, duke konfirmuar akuzat për propagandë terrorizmi ndaj reporterit 36 vjeçar
Dënimi me 7 vite burg i gazetarit francez Christophe Gleizes është konfirmuar nga Gjykata e Apelit në Algjeri, pavarësisht shpresave të familjarëve dhe kolegëve se rasti mund të merrte një kthesë pas faljes së shkrimtarit Boualem Sansal. Gleizes, bashkëpunëtor i So Foot dhe Society, u arrestua më 29 qershor gjatë një vizite profesionale në vend.
Prokuroria kërkoi 10 vite burg dhe një gjobë prej 500 mijë dinarësh, duke deklaruar se ai nuk kishte hyrë në Algjeri për të kryer punë gazetarie, por për të kryer një akt armiqësor. Në sallën e gjyqit, Gleizes shprehu keqardhje dhe kërkoi falje, ndërsa i lutej trupës gjykuese që t’i jepnin mundësinë të kthehej te familja.
Në shkallën e parë, autoritetet e kishin dënuar për apologji të terrorizmit dhe posedim publikimesh me qëllim propagandistik që cenonin interesin kombëtar. Gazetari ndodhej në Algjeri për të përgatitur reportazhe mbi ekipin e njohur të futbollit JS Kabylie, një nga klubet më të vjetër dhe më të suksesshëm të vendit.
Rasti i Gleizes ka ngjallur reagime ndërkombëtare dhe shqetësim nga organizatat e lirisë së medias, të cilat theksojnë se ky vendim përbën një precedent alarmues për punën e gazetarëve të huaj në rajon.
