
Zyrtari i Këshillit Kombëtar thekson se opozita duhet të pastrohet nga korrupsioni moral dhe të rikthejë energjinë politike
Ilir Alimehmeti, një prej figurave më të votuara të Partisë Demokratike dhe anëtar i Këshillit Kombëtar, ishte i pranishëm në Foltoren e mbajtur në Durrës, e iniciuar nga Ervin Salianji. Në fjalën e tij, ai u shpreh se demokratët, pavarësisht 12 viteve në opozitë, vazhdojnë të tregojnë forcë, energji dhe entuziazëm për ndryshim.
Alimehmeti theksoi se largimi i qeverisë aktuale është i domosdoshëm dhe se vetëm e djathta, kur vendos interesin e vendit mbi atë partiak, mund ta realizojë këtë objektiv. Ai e cilësoi Foltoren si një nismë për të bashkuar demokratët dhe për të krijuar një Parti Demokratike më të fortë e më të hapur ndaj mendimeve të anëtarëve.
Ai shtoi se përveç korrupsionit financiar që i atribuon qeverisë së Edi Ramës, vendi përballet edhe me korrupsion moral, një problem që sipas tij duhet adresuar nga opozita për t’u rikthyer te parimet dhe liria e brendshme e diskutimit.
Alimehmeti theksoi se PD duhet të nxisë debatin e hapur, të analizojë gabimet dhe të formësojë një model të ri politik që afron demokratët dhe forcon opozitën në tërësi.
