
88 vjeçari Ndue Qokaj dhe i biri Besniku humbën jetën njëri pas tjetrit, ndërsa dyshohet se djali pësoi arrest kardiak pas vdekjes së të atit
Një tragjedi e rëndë ka goditur zonën e Nikaj-Mërturit në Tropojë, ku familja Qokaj ka humbur dy anëtarë brenda një dite. Fillimisht ndërroi jetë 88 vjeçari Ndue Martin Qokaj, një figurë e nderuar e komunitetit. Lajmi u bë publik nga i biri, Besnik Qokaj, i cili vetëm 24 orë më parë kishte kërkuar publikimin e njoftimit mortor për të atin.
Pak orë më vonë, komuniteti u përball me një tjetër humbje të rëndë. Edhe Besniku ndërroi jetë, dyshohet si pasojë e një arresti kardiak. Vdekja e tij e papritur shtoi dramën që ka përfshirë familjen, e cila humbi dy prej njerëzve më të afërt në një interval tepër të shkurtër.
Ngjarja ka tronditur thellë banorët e Nikaj-Mërturit, ndërsa shtëpia e familjes Qokaj është zhytur në një zi të dyfishtë. Mjekët prej vitesh shprehin shqetësime për rritjen e rasteve të vdekjeve të menjëhershme nga arrestet kardiake në vend, një fenomen që edhe kjo ngjarje tragjike e rikthen në qendër të vëmendjes.
Administratorë të faqeve lokale kanë shpërndarë komunikimin e fundit të Besnikut, i cili vetëm një ditë më parë kishte njoftuar humbjen e babait. Askush nuk e kishte parashikuar se brenda pak orësh do të përballeshin me lajmin e vdekjes së tij.
Komuniteti i Nikaj-Mërturit dhe miqtë e familjes kanë shprehur ngushëllimet më të thella për tragjedinë që ka goditur familjen Qokaj, duke u bashkuar në dhimbjen dhe lutjet për ta.
