
Veza legjendare Winter Egg, e krijuar për familjen mbretërore ruse më 1913, konsiderohet vepra më ikonike e artit dekorativ dhe një nga objektet më të rralla të Fabergé
Një nga objektet më të çmuara të artit botëror, vezja perandorake Winter Egg e shtëpisë Fabergé, pritet të arrijë deri në 20 milionë paund në ankandin e Christie’s në Londër, një vlerë që mund të thyejë të gjitha rekordet historike. Objektet e kësaj kategorie janë jashtëzakonisht të rralla: nga 50 vezë perandorake të prodhuara për carët Aleksandri III dhe Nikolla II, vetëm 43 ekzistojnë ende, ndërsa vetëm shtatë janë në pronësi private.
Një nga ekspertët më të njohur të Fabergé, Kieran McCarthy, e cilëson Winter Egg si kulmin e krijimtarisë së shtëpisë së famshme të argjendarisë ruse dhe veprën më ikonike të artit dekorativ të të gjitha kohërave. E projektuar në vitin 1913 nga Alma Pihl, mbesa e mjeshtrit Fabergé August Holmstrom, vezja është e punuar me kristal guri, platinium dhe mbi 4.500 diamante, duke imituar ngrirjen dhe kristalet e akullit.
Ideja e Pihl lindi teksa punonte në atelienë e Fabergé në Shën Petersburg, kur pa dritaret e mbuluara nga bora dhe akulli. Ajo krijoi fillimisht një seri bizhuterish të quajtur Winter Jewels, dhe më pas e përsosi konceptin në vezën perandorake të vitit 1913, e destinuar për perandoreshën Mari Fjodorovna.
Brenda vezës fshihet surpriza e saj: një shportë platini dhe diamantesh që mban lule të punuara me kuarc të bardhë, të vendosura mbi myshk floriri, simbol i ardhjes së pranverës. Cilësia e punimit dhe materiali e bëjnë këtë objekt jashtëzakonisht të ndërlikuar për t’u realizuar.
Vezja ka kaluar nëpër disa duar të koleksionistëve të mëdhenj. Pas revolucionit rus, u shit në Londër për vetëm 450 paund, më pas iu shit Lord Alington për 1.500 paund, ndërsa në vitin 2002 u ble nga një i afërm i Emirit të Katarit për 9.6 milionë dollarë. Tani, nëse arritja prej 20 milionë paundësh realizohet, Winter Egg mund të bëhet objekti Fabergé më i shtrenjtë i shitur ndonjëherë.
Ankandi i sotëm pritet të tërheqë interes ndërkombëtar dhe të vendosë një standard të ri për vlerën e objekteve perandorake ruse.
