Ambasadori gjerman dhe partnerët SHBA-BE japin mesazhe të qarta për integritetin e procesit, ndërsa gara për drejtimin e SPAK hyn në fazën vendimtare
Këshilli i Lartë i Prokurorisë është vënë nën vëzhgim të shtuar nga partnerët ndërkombëtarë, në një kohë kur institucioni do të marrë dy vendime të rëndësishme brenda pak ditësh: më 9 dhjetor pritet të zgjidhet kreu i ri i BKH dhe më 11 dhjetor kreu i ri i SPAK. Për drejtimin e Byrosë së Hetimit është propozuar emri i Joni Ketës, ndërsa gara për kreun e SPAK zhvillohet mes katër kandidatëve: Adnan Xholi, Klodian Braho, Doroleza Musabelliu dhe Elvin Gogaj.
Sipas burimeve brenda sistemit, diplomatët amerikanë dhe europianë kanë intensifikuar takimet me anëtarët e KLP që prej muajit shtator, duke shprehur shqetësime për ndërhyrje të mundshme politike në proces. Mesazhet e ditëve të fundit tregojnë se partnerët ndërkombëtarë pritet të mbajnë një rol aktiv monitorues deri në përfundim të votimit.
Ambasadori gjerman, Karl Bergner, zhvilloi sot një takim me kryetaren e KLP Mirela Bogdani dhe disa prej anëtarëve të Këshillit. Ai theksoi rëndësinë që ka institucioni në ruajtjen e pavarësisë, integritetit dhe efikasitetit të prokurorive në vend. Bergner vuri në dukje se zgjedhja e pasuesit të Altin Dumanit është një vendim me peshë të madhe për vazhdimin e kursit të SPAK në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Ai deklaroi se ka besim se procesi do të zhvillohet në mënyrë transparente dhe se secili anëtar i KLP do të udhëhiqet vetëm nga profesionalizmi dhe integriteti i kandidatëve.
Në të njëjtën linjë është shprehur edhe ambasada e Shteteve të Bashkuara, e cila disa herë ka theksuar se integriteti i zgjedhjes së Prokurorit të Posaçëm është kyç për vijimin e bashkëpunimit SHBA-Shqipëri në luftën kundër krimit të organizuar ndërkombëtar. Bashkimi Europian ka përcjellë po të njëjtin mesazh.
Sipas burimeve diplomatike, takimet monitoruese me KLP do të vijojnë deri në ditën e votimit, ndërsa pritet që presioni ndërkombëtar të mbetet i lartë për të garantuar një proces të paanshëm dhe larg çdo ndikimi politik.

