
Kriminelët i rrëmbyen Roman dhe Anna Novakun në Dubai, i torturuan për të marrë akses në portofolet digjitale dhe më pas tentuan të zhduknin gjurmët
Hetuesit rusë kanë zbuluar detaje tronditëse mbi zhdukjen dhe vrasjen e çiftit rus Roman dhe Anna Novak, të rrëmbyer më 2 tetor në Emiratet e Bashkuara Arabe. Dyshohet se ata u torturuan deri në vdekje nga persona që kërkonin të merrnin kodet e kriptomonedhave të tyre, me vlerë rreth 430 milionë euro.
Çifti u josh në zonën turistike të Hattas, rreth 80 milje nga Dubai, nga persona që u prezantuan si investitorë të mundshëm. Pak orë pas zhdukjes, sinjalet e telefonave të tyre u kapën pranë maleve Hajar, ku policia gjeti më vonë mbetjet e trupave pas një operacioni kërkimi në një zonë të gjerë rëre.
Sipas mediave ruse, kriminelët i torturuan në mënyrë të përsëritur ndërsa përpiqeshin të merrnin kodet e aksesit të portofolëve digjitalë. Megjithëse çifti dha kodet, portofolet rezultuan bosh. Autorët dyshohet se më pas i futën trupat në qese polietileni dhe përdorën tretës industrialë për të zhdukur ADN dhe për të penguar identifikimin.
Rasti u hetua pas denoncimit të të afërmve që informuan policinë e Dubait për zhdukjen e tyre. Roman Novak, i dënuar në Rusi në vitin 2020 për mashtrim të gjerë, ishte zhvendosur në Emirate pas lirimit me kusht, ku themeloi aplikacionin e investimeve Fintopio. Aplikacioni thuhet se kishte mbledhur qindra milionë paund, të cilat besohet se kriminelët synonin t’i merrnin.
Komiteti Hetimor Rus njoftoi se vrasësit kishin bashkëpunëtorë që ofruan automjete dhe ambiente ku çifti u mbajt me forcë. Tre shtetas rusë; Konstantin Shakht, Yury Sharypov dhe Vladimir Dalekin, janë arrestuar në Shën Petersburg pas kthimit nga Emiratet. Dy prej tyre kanë pranuar fajësinë, ndërsa Shakht mohon akuzat. Të tre do të mbahen në paraburgim deri më 28 dhjetor.
Pamje të publikuara nga autoritetet tregojnë arrestimet e tyre në Shën Petersburg, Stavropol dhe Krasnodar. Hetuesit besojnë se rrjeti i krimit është më i gjerë dhe priten arrestime të tjera.
Gjurmimi i telefonave të çiftit ka zbuluar se pajisjet u aktivizuan në Hatta, Oman dhe Cape Town, një manovër që besohet të jetë bërë për të hutuar detektivët. Më pas sinjalet u zhdukën përgjithmonë në fillim të tetorit.
Kjo ngjarje është cilësuar nga hetuesit si një nga vrasjet më brutale të qytetarëve rusë jashtë vendit në vitet e fundit.
