
Parashikimi i vitit 2025 lidhet me një dritë të panjohur në qiell mbi një ngjarje globale, ndërsa sytë tani janë drejt shortit të Kupës së Botës 2026
Baba Vanga, parashikuesja bullgare që është shndërruar në figurë kult për shkak të disa ngjarjeve që thuhet se i ka zbuluar përpara se të ndodhnin, po rikthehet në qendër të vëmendjes me një tjetër profeci që lidhet me jetën aliene. Sipas raportimeve të Daily Mail, parashikimi i saj për vitin 2025 mund të verifikohet brenda pak ditësh.
Profecia përshkruan një dritë të re në qiell gjatë një ngjarjeje të madhe sportive, e cila do t’i mundësonte njerëzimit kontaktin e parë me një civilizim jashtëtokësor. Kjo dritë interpretohet nga ndjekësit e saj si shfaqja e një anijeje kozmike mbi një event global.
Kuptimi i kësaj profecie është lidhur këtë herë me shortin e Kupës së Botës FIFA 2026 në Uashington. Ngjarja pritet të ndiqet nga deri në 300 milionë shikues në mbarë botën, çka e përmbush parimin e një audience të gjerë ndërkombëtare, pjesë e përshkrimit të Vangës. Edhe pse ceremonia nuk është një ndeshje, ajo konsiderohet një moment sportiv me rëndësi botërore.
Sipas interpretuesve, ky është shansi i fundit që profecia të realizohet përpara se të hyjmë në vitin 2026.
Shumë nga parashikimet e Baba Vangës i njohim vetëm nëpërmjet mbesës së saj, Krasimira Stoyanova, ose njerëzve që i dokumentuan pas vdekjes së saj, duke hapur debat mbi saktësinë e tyre. Por fama e saj u rrit pasi disa ngjarje janë lidhur drejtpërdrejt me deklaratat e saj të dikurshme: mbytja e nëndetëses ruse Kursk në vitin 2000, zgjedhja e Barack Obamës, ngritja e ISIS-it, cunami i vitit 2004 apo referenca e dy zogjve metalikë që shumë e kanë interpretuar si sulmet e 11 shtatorit.
Këtë herë, elementë të tjerë i kanë shtuar peshë profecisë. Objekti misterioz ndëryjor 3I/ATLAS, i cili do të kalojë pranë Tokës më 19 dhjetor, është parë nga disa studiues si një kandidat potencial për origjinë jonatyrore. NASA e klasifikon atë si një kometë të pajetë, por teoritë alternative mbeten të hapura. Po ashtu, si mundësi janë përmendur një shi meteorësh, një supernovë e pritur, apo edhe fenomenet polare.
Megjithatë, skeptikët kujtojnë se shumë ngjarje të mëdha televizive kanë kaluar pa ndodhur asgjë e jashtëzakonshme. Për shembull, shumë pritën që profecia të realizohej gjatë Super Bowl në shkurt, por nuk u shfaq asnjë dritë e pazakontë.
Pavarësisht debatit, një gjë është e sigurt: ndërsa afrohet shorti i Kupës së Botës, ndjekësit e Baba Vangës janë të bindur se nëse profecia është reale, koha për t’u verifikuar po mbaron.
